Sezoni i ri televiziv nuk ka sjellë vetëm projekte të reja dhe ndryshime profesionale për personazhet e ekranit, por edhe disa transformime në pamje. Me nisjen e një viti të ri televiziv, moderatorët kanë nisur të shfaqen me një tjetër energji, duke eksperimentuar edhe me stilin dhe look-un e tyre.
Një prej tyre është Heidi Baci, e cila këtë sezon do të ketë një sfidë të re në karrierën e saj. Moderatorja, shkrimtarja dhe ish-banorja e “Big Brother VIP” do të jetë këtë vit në krye të “Përputhen”, duke marrë drejtimin e një prej formateve më të komentuar të ekranit.
Një eksperiencë e re për Heidin, e cila e ka cilësuar “Përputhen” si një sfidë, por duket se e ka pritur me shumë entuziazëm dhe dëshirë për t’u përballur me një format ndryshe nga projektet që ka bërë më herët. Dhe duket se për këtë kapitull të ri, ajo ka vendosur të vijë edhe me një version të ri të vetes.
Ndryshimi që bie menjëherë në sy janë flokët.
Heidi jemi mësuar ta shohim prej kohësh me një ngjyrë bionde natyrale, të shoqëruar nga tone të ngrohta karameli dhe mjalti, të cilat janë kthyer në një nga detajet karakteristike të look-ut të saj. Por këtë herë, ajo ka vendosur të shkojë edhe më tej me nuancën e flokëve.
Moderatorja është shfaqur me një bjonde të artë, shumë më të çelët dhe më uniforme, duke i dhënë pamjes së saj një tjetër shkëlqim.
Tonaliteti i ri i jep një pamje më të freskët dhe më të ndritshme, ndërsa duket se përshtatet mjaft mirë me stilin që Heidi ka zgjedhur për sezonin e ri televiziv.
Dhe nëse ndryshimi i flokëve është një mënyrë për të shënuar një kapitull të ri, Heidi duket se e ka nisur këtë sezon pikërisht kështu: me një projekt të ri, një rol të ri në ekran dhe një look që nuk kalon pa u vënë re./MXH
