Bisedimet e mundshme mes SHBA-së dhe Iranit po rikthehen në qendër të vëmendjes së tregjeve, ndërsa çmimi i naftës u rrit të martën pas katër seancash radhazi në rënie. Brent-i u ngjit sërish mbi 102 dollarë për fuçi, teksa investitorët po vlerësojnë perspektivën për furnizimet globale dhe zhvillimet diplomatike në Lindjen e Mesme.
Brent-i për kontratat e nëntorit u rrit me 1.7%, në 102.06 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI fitoi 1.7%, duke arritur në 97.40 dollarë. Lëvizja vjen pas një periudhe rënieje të çmimeve, e nxitur nga sinjalet për përmirësimin e transportit të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit dhe shpresat për një zgjidhje diplomatike.
Sipas Reuters, tregjet po ndjekin nga afër mundësinë e bisedimeve SHBA–Iran gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ndërsa çdo sinjal për një marrëveshje mund të ndikojë në pritshmëritë për furnizimet globale me naftë.
Rritja e së martës vjen pasi Brent-i kishte humbur terren në katër seanca të njëpasnjëshme. Investitorët po përpiqen të vlerësojnë nëse lehtësimi i tensioneve do të mundësonte rikthimin e më shumë naftës në tregun ndërkombëtar, apo nëse rreziqet për furnizimet mbeten të larta.
Nafta mbi 100 dollarë për fuçi mbetet një faktor i rëndësishëm për ekonominë globale. Një periudhë e zgjatur me çmime të larta të energjisë mund të shtojë presionet inflacioniste dhe të komplikojë vendimmarrjen e bankave qendrore për normat e interesit.
Në tregjet financiare, investitorët po ndjekin gjithashtu zhvillimet mes SHBA-së dhe Kinës, përfshirë pritshmëritë për takimin e Donald Trump dhe Xi Jinping, ndërsa çështjet tregtare dhe teknologjike mbeten në fokus.
Për momentin, tregu i naftës mbetet veçanërisht i ndjeshëm ndaj çdo zhvillimi të ri diplomatik. Një përparim në bisedimet SHBA–Iran do të mund të ulte primin e rrezikut në çmimet e naftës, ndërsa përkeqësimi i situatës do të rriste shqetësimet për furnizimet globale./ad
