Aktorja Blake Lively ka deklaruar se ka humbur rreth 64 milionë dollarë për shkak të një beteje ligjore me aktorin dhe regjisorin Justin Baldoni, me të cilin bashkëpunoi në filmin “It Ends With Us”.
Sipas dokumenteve të dorëzuara në gjykatë, ekipi ligjor i Lively-t pretendon se humbjet financiare janë rezultat i një “fushate të koordinuar shpifjeje” të organizuar nga Baldoni, me qëllim diskreditimin e akuzave të saj për ngacmim seksual dhe krijimin e një ambienti toksik pune gjatë xhirimeve të filmit.
Sipas mediave ndërkombëtare, përfshirë Daily Mail, kjo fushatë përfshiu etiketime negative ndaj aktores, si “bullizuese” dhe “vajzë e keqe”, të cilat thuhet se kanë marrë mbi 176 milionë shikime në internet. Sipas pretendimeve të palës së saj, kjo ka sjellë humbje deri në 40.5 milionë dollarë. Për më tepër, deklaratat publike të avokatit të Baldoni-t, Brian Friedman, dyshohet se kanë shkaktuar dëme shtesë mbi 24 milionë dollarë, duke ndikuar edhe në humbjen e disa mundësive profesionale për aktoren.
Në fillim të prillit, gjykata rrëzoi 10 nga 13 akuzat e ngritura nga Blake Lively ndaj Baldoni-t, duke vlerësuar se nuk kishte prova të mjaftueshme për pretendimet e ngacmimit seksual. Megjithatë, gjykatësi pranoi se mund të ketë pasur përpjekje për dëmtimin e reputacionit dhe karrierës së saj.
Çështja pritet të shkojë në gjykim para një jurie më 18 maj, pasi deri më tani nuk është arritur një marrëveshje jashtë-gjyqësore./mxh
