Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit nga Shtetet e Bashkuara ka rritur shqetësimet për sigurinë globale të energjisë dhe furnizimin me një gamë të gjerë mallrash që mbështeten te nafta. Kina, blerësi kryesor i naftës iraniane, tha se bllokada amerikane ishte e rrezikshme dhe e papërgjegjshme, duke shtuar se vetëm sa do të përkeqësonte tensionet.
Aleatët e Shteteve të Bashkuara në NATO, gjithashtu të prekur nga kriza në Hormuz, kanë qëndruar larg konfliktit duke mos marrë pjesë në bllokadë, megjithëse janë ofruar të ndihmojnë në ruajtjen e ngushticës kur të arrihet një marrëveshje. Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer do të kryesojnë një konferencë për vendet që janë të gatshme të kontribuojnë në një mision mbrojtës shumëpalësh për të rivendosur lirinë e lundrimit kur kushtet e sigurisë ta lejojnë këtë.
Një ditë më parë, kryeministri izraelit kritikoi Evropën se nuk merrte përgjegjësi dhe po humbiste kontrollin mbi identitetin dhe vlerat e saj. Edhe Rusia ka reaguar ashpër ndaj bllokadës amerikane, duke paralajmëruar për pasoja të paparashikueshme dhe duke akuzuar Shtetet e Bashkuara për përshkallëzim të tensioneve.
Sipas mediave, edhe Arabia Saudite po i bën presion SHBA-ve që të ndërpresin bllokadën dhe të rikthehet në bisedime me Iranin, pasi i frikësohet sulmeve hakmarrëse iraniane ndaj infrastrukturës energjetike. Ndërkohë, mediat italiane kanë bërë të ditur se Italia po pezullon një marrëveshje mbi 20-vjeçare mbrojtjeje me Izraelin për shkak të situatës aktuale./mxh
