Duke i imponuar kosto të mëdha ekonomisë globale, qeveria iraniane shpreson të detyrojë SHBA-në të tërhiqet.
Jack Watling*
Vendimi i SHBA-së dhe Izraelit për të sulmuar Iranin ka shkaktuar valë goditëse në ekonominë botërore. Rreth 20% e furnizimeve globale me naftë janë bllokuar praktikisht nga kalimi në ngushticën e Hormuzit që kur Irani nisi të sulmojë anijet, duke sjellë një rritje të madhe të çmimeve të naftës. Nga pikëpamja ushtarake, edhe pse Shtetet e Bashkuara kanë fuqinë e zjarrit për të reduktuar ndjeshëm aftësinë e Iranit për të goditur anijet në ngushticë, është pak e mundshme që të mund ta eliminojnë plotësisht këtë kërcënim.
Rihapja e ngushticës, për këtë arsye, nuk është vetëm çështje e kapaciteteve ushtarake, por edhe e diplomacisë. Dhe për të negociuar, duhet kuptuar se çfarë synon secila palë në këtë konflikt.
Për qeverinë iraniane, qëllimi i arsenalit të saj të raketave balistike ishte të shërbente si mjet parandalimi ndaj çdo agresioni të drejtpërdrejtë, duke i lejuar vendit të vepronte kundër kundërshtarëve përmes grupeve të armatosura aleate pa rrezikuar kundërpërgjigje. Por ky parandalim ka dështuar. Ideja që Irani mund të sulmohet sa herë që veprimet e tij nuk i pëlqejnë kundërshtarëve është e papranueshme për Teheranin. Prandaj qeveria iraniane kërkon ta rikthejë efektin e frikësues duke i shkaktuar ekonomisë globale një kosto aq të lartë sa të dekurajohen sulme të tjera. Mekanizmi për këtë është mbyllja e ngushticës së Hormuzit.
Brenda komunitetit strategjik amerikan ekziston frika se, nëse Kina përpiqet të pushtojë Tajvanin në vitin 2027, bota mund të përballet me një konflikt global të zgjatur dhe të shumëfishtë. Për këtë arsye, SHBA synon të eliminojë kërcënimet ndaj operacioneve të saj globale përtej Indo-Paqësorit: të vendosë kontroll detyrues mbi Venezuelën, të shkatërrojë kapacitetet ushtarake të Iranit dhe të neutralizojë një qeveri armiqësore në Kubë. Rusia, për shkak të parandalimit bërthamor, nuk mund të reduktohet në të njëjtën mënyrë, ndaj SHBA është përpjekur të krijojë kushte që Kremlini të mos ndërhyjë në një përballje SHBA–Kinë. Në të kundërt, Uashingtoni po kërkon që aleatët evropianë të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre.
Objektivat ushtarake të SHBA-së kundër Iranit janë kështu të kufizuara – siç ka deklaruar edhe kryetari i Shtabit të Përbashkët, gjenerali Dan Caine – në shkatërrimin e objekteve ushtarako-industriale iraniane dhe kapaciteteve të goditjes. Por objektivat politike amerikane janë më të gjera.
Në teori, nëse këta do të ishin faktorët e vetëm, është e mundur që SHBA të shkaktonte një nivel dëmi që do ta bënte të besonte se Irani nuk mund të kërcënonte bazat apo operacionet globale amerikane për një periudhë të gjatë, ndërsa Irani do të demonstronte se ende ka aftësinë të ndëshkojë ekonomikisht çdo sulmues. Në atë pikë, të dyja palët mund të de-përshkallëzonin konfliktin dhe të pretendonin fitore. Por këta nuk janë faktorët e vetëm në lojë.
Donald Trump ka propozuar një sërë objektivash politike që shkojnë përtej dobësimit të kapaciteteve goditëse të Iranit: nga vendosja e kontrollit mbi një udhëheqje të ardhshme iraniane deri te ndryshimi i regjimit. Edhe pse presidenti amerikan ka treguar fleksibilitet në mënyrën se si i përkufizon sukseset e tij, një gjë mbetet konstante: ai dëshiron të shihet si fitues. Kjo është e vështirë të pajtohet me nevojën e Iranit për të rivendosur efektin e parandalimit – pra për të pasur, në thelb, fjalën e fundit.
Negociatat komplikohen më tej nga objektivat e Izraelit. Izraeli, në thelb, dëshiron rrëzimin e regjimit iranian ose zhytjen e Iranit në përçarje të brendshme, në mënyrë që të zgjatet sa më shumë koha që Teherani do të kishte nevojë për t’u rikuperuar si kërcënim për Izraelin. Izraeli ka deklaruar se do të përpiqet të eliminojë këdo që merr pushtetin në Teheran, ndërsa Trump kërkon që në pushtet të jetë dikush i përulur ndaj SHBA-së. Edhe pse Izraeli mund ta pranojë fundin e fushatës nëse SHBA tërhiqet, ai mund të vazhdojë sulmet që e bëjnë më të vështirë negociimin, duke zgjatur periudhën gjatë së cilës forcat ajrore izraelite mund të dobësojnë të ardhurat, kapacitetet dhe mjetet e kontrollit të regjimit iranian.
Nga ana iraniane, ndërsa qeveria mund të dëshirojë de-përshkallëzim, disa pjesë të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) kërkojnë hakmarrje dhe do të përpiqen të vrasin amerikanë në Gjirin Persik dhe më gjerë për një kohë të gjatë. Meqenëse sistemi iranian i komandës është bërë më i decentralizuar, mund të ndodhë që elementë të izoluar të IRGC të vazhdojnë të sulmojnë anijet edhe nëse qeveria përpiqet të negociojë fundin e konfliktit. Për sa kohë që këto sulme vazhdojnë, do të jetë e vështirë për SHBA-në të tërhiqet.
Edhe Rusia është një faktor që mund ta komplikojë situatën. Në vitin 2023, zyrtarët rusë analizuan se cilat ngjarje ndërkombëtare mund të ndihmonin përpjekjet e tyre në luftën kundër Ukrainës. Ndër më të rëndësishmet u identifikuan: një përshkallëzim i konfliktit Izrael-Palestinë, një krizë në ngushticën e Hormuzit dhe një përpjekje e Kinës për të marrë Tajvanin. Për këtë arsye, Rusia ka interes që kjo krizë të zgjasë – veçanërisht duke përfituar të ardhura të mëdha nga shitja e naftës – për sa kohë që mund të shmangë përfshirjen e drejtpërdrejtë.
Për vendet e Gjirit dhe për Evropën, ekziston një dëshirë e fortë që kriza të marrë fund sa më shpejt. Vazhdimi i saj rrezikon të shkaktojë dëme të përhershme në infrastrukturën ekonomike të Gjirit dhe një krizë energjetike që mund të përthithë të ardhurat që Evropa i nevojiten për të forcuar mbrojtjen e saj. Por për sa kohë që Irani ruan aftësinë të kërcënojë lundrimin në Hormuz, negociatat do të mbeten të vështira.
SHBA shpreson se mund ta frikësojë qeverinë iraniane përmes sulmeve më të gjera që do ta detyronin Gardën Revolucionare të tërhiqej. Por, duke e bërë konfliktin ekzistencial për regjimin iranian, do të jetë shumë e vështirë të detyrohet një kompromis.
Prandaj, nuk duhet të presim një zgjidhje të shpejtë të kësaj krize.
*Dr. Jack Watling është studiues i lartë për luftën tokësore në Royal United Services Institute në Londër dhe autor i librit Statecraft: The New Rules of Power in a Divided World.
