Last Updated on 05/07/2026 by EL
Kualifikueset për Botërorin përfunduan me 16 vende për Evropën, shtatë për Amerikën e Jugut dhe dy për Afrikën, një ndarje e re kuotash që synonte t’u jepte më shumë hapësirë kontinenteve të tjera.
Megjithatë, rezultatet në fushë tregojnë një realitet tjetër. Edhe pas këtij ndryshimi të rëndësishëm në numrin e vendeve, ekuilibri i forcave mbeti thuajse i pandryshuar. Në fazën me eliminim direkt (16-she), shtatë ekipe evropiane, katër amerikanojugore dhe dy afrikane arritën të kualifikohen më tej, duke ruajtur dominimin tradicional të këtyre kontinenteve.
Rasti më i veçantë është Azia. Ky kontinent kishte përfituar deri në 9 vende kualifikuese, një rritje e ndjeshme krahasuar me më parë, por në fund dështoi pothuajse plotësisht, pa asnjë skuadër që të arrijë fazën vendimtare. Kjo mund të konsiderohet si një “disfatë aziatike” dhe paralajmëron se FIFA duhet të rishikojë formulën e ndarjes së vendeve përpara se të finalizojë kuotat për edicionin e 2030-s. Përndryshe, do të ishte një “skandal” të konfirmoheshin sërish 9 vende për Azinë, pavarësisht rezultateve të dobëta, investimeve të mëdha dhe përfshirjes gjithnjë e më të madhe të trajnerëve të huaj, si dhe organizimit të turneve madhore në rajon (Kore-Japoni, Katar, dhe Arabia Saudite 2034).
Në thelb, rritja e kuotave për Azinë, Afrikën dhe CONCACAF nuk e ka ndryshuar realitetin sportiv. Evropa dhe Amerika e Jugut mbeten ende fuqitë dominuese të futbollit botëror, dhe kjo duhet të reflektohet më saktë në ndarjen e ardhshme të vendeve, në vend që kuotat të shpërndahen thjesht për arsye “ekuilibri gjeopolitik”.
Një kënd shqiptar mbi këtë debat
Për Shqipërinë, ky realitet ka edhe një lexim pozitiv. Meqë Evropa vazhdon të ketë numrin më të madh të vendeve kualifikuese (16, plus mundësinë e play-off-eve ndërkontinentale), kjo i jep hapësirë edhe kombëve më të vogla që të konkurrojnë në një nivel më të lartë.
Sa më shumë vende evropiane në Botëror, aq më e madhe bëhet mundësia për ekipe që historikisht nuk kanë qenë pjesë e “elitës” së kontinentit. Në këtë kuptim, ëndrra e Shqipërisë për një kualifikim historik në Botëror mbetet më e prekshme, jo vetëm si pjesëmarrje, por edhe si një mundësi reale për të kaluar më tej.
Analiza që thekson faktin se Evropa “meriton më shumë vende” për shkak të cilësisë, mund të kthehet në një argument në favor të vendeve si Shqipëria: sa më shumë përfaqësues evropianë në Botëror, aq më shumë hapësirë krijohet edhe për “outsider”-ët e kontinentit./et
