Last Updated on 20/11/2026 by EL
Deputeti socialist Erion Braçe, i ftuar në emisionin “Shqipëria Live” , ka folur për gjendjen shëndetësore të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe debatet e fundit brenda Partisë Socialiste .
Për Veliajn, Braçe u shpreh se shërbimi mjekësor nuk mund t’i mohohet askujt.
“Mendoj se Veliaj ka nevojë për shërbim akut shëndetësor dhe nuk mund t’i mohohet askujt”, deklaroi ai.
Duke komentuar debatet në Asamblenë e PS-së, Braçe tha se nuk i kishte pëlqyer ajo që kishte ndodhur gjatë mbledhjes, si në pjesën me dyer të mbyllura, ashtu edhe në atë me dyer të hapura.
Ai kërkoi më shumë përfshirje të socialistëve në vendimmarrje përmes votës, duke theksuar se aktualisht anëtarët e partisë njoftohen për vendimet që merren në emër të tyre.
“Kemi pasur probleme kohë pas kohe brenda PS-së me kulturën demokratike, por kjo kurohet, se na kushton më pak kurimi i të qejfmbeturve nga gara sesa mohimi i të gjithë socialistëve për të zgjedhur me votë”, u shpreh deputeti socialist.
I pyetur për qëndrimet e Elisa Spiropalit, Braçe tha se ajo ka të drejtë të shprehë mendimet e saj. Megjithatë, ai theksoi se anëtarësimi në forumet drejtuese të një partie shoqërohet me detyrimin për t’iu nënshtruar disiplinës partiake.
“Në momentin që je brenda forumeve të çdo partie, një pjesë e lirisë tënde humbet, se i nënshtrohesh disiplinës partiake”, deklaroi Braçe, duke shtuar se është kundër përjashtimeve nga partia, përveç rasteve kur ato janë të arsyetuara.
Deputeti socialist u pyet edhe nëse kryeministri Edi Rama është i zëvendësueshëm në drejtimin e PS-së.
“Patjetër, kush nuk është i zëvendësueshëm?”, u përgjigj Braçe.
Ai kundërshtoi konceptin e trashëgimtarit në drejtimin e një partie, duke iu referuar zgjedhjes së kryetarit të PS-së në vitin 2005.
“Në 2005 ne nuk zgjodhëm trashëgimtar, por zgjodhëm më të mirin mes nesh me votë dhe na shkoi mbarë”, tha Braçe.
Në përfundim, deputeti socialist u shpreh se nuk është i kënaqur me situatën aktuale në PS, por theksoi se ndryshimet mund të bëhen edhe pa largime nga partia.
“Prandaj i dua të gjithë brenda, nuk i dua jashtë”, deklaroi ai./et
