Last Updated on 17/11/2026 by EL
Brad Pitt dhe partnerja e tij, Ines de Ramon, u shfaqën së bashku në premierën e filmit të ri të aktorit, “The Further Mis-Adventures of Cliff Booth”, e cila u zhvillua të hënën në mbrëmje në Los Angeles.
Çifti pozoi i buzëqeshur para fotografëve, duke u shfaqur në humor të mirë dhe duke mbajtur duart gjatë parakalimit në tapetin e kuq. Ines de Ramon kishte zgjedhur një fustan të gjatë në ngjyrë të bardhë krem, me prerje anash, ndërsa Pitt u paraqit me veshje elegante në tonalitete të errëta.
Në premierë morën pjesë edhe emra të tjerë të kastit, mes tyre Elizabeth Debicki, Carla Gugino, Scott Caan, Yahya Abdul-Mateen II dhe Peter Weller. Të pranishëm ishin gjithashtu regjisori David Fincher dhe skenaristi Quentin Tarantino.
Filmi sjell sërish Brad Pitt në rolin e Cliff Booth, personazhit që interpretoi në “Once Upon a Time… in Hollywood”. Ngjarjet zhvillohen në vitin 1977, tetë vjet pas historisë së filmit të parë, ndërsa Booth tashmë punon si një person që zgjidh probleme për njerëzit e fuqishëm të Hollywood-it.
Filmi është drejtuar nga David Fincher, ndërsa skenari është shkruar nga Quentin Tarantino. Ai do të shfaqet në kinema të përzgjedhura IMAX duke nisur nga 25 nëntori, përpara se të publikohet në Netflix më 23 dhjetor.
Brad Pitt dhe Ines de Ramon janë lidhur për herë të parë në vitin 2022. Ata u shfaqën për herë të parë së bashku në tapetin e kuq në Festivalin e Filmit në Venecia, në vitin 2024./et
