Flet Anisa Zaçe, psikologe
Në një kohë kur ekonomitë moderne kërkojnë përqendrim, durim dhe aftësi për të ndërtuar vlerë në afat të gjatë, një pjesë gjithnjë e më e madhe e kohës së fëmijëve po zhvendoset drejt një bote që funksionon me logjikë të kundërt: shpërblim i menjëhershëm, stimul i vazhdueshëm dhe arratisje nga realiteti.
Videolojërat nuk janë më thjesht argëtim.
Për një pjesë të fëmijëve dhe adoleshentëve, ato po kthehen në një strukturë alternative ku ndërtohet identiteti, marrëdhëniet dhe ndjesia e arritjes. Sipas psikologes Anisa Zaçe, kufiri mes përdorimit të shëndetshëm dhe varësisë nuk përcaktohet nga orët, por nga roli që zë loja në jetën e fëmijës.
Kur ajo zëvendëson gjumin, shkollën dhe marrëdhëniet sociale, kur shoqërohet me izolim, irritim dhe mungesë kontrolli, atëherë kemi të bëjmë me një problem që shkon përtej ekranit. Në thelb, bëhet fjalë për një ndryshim në mënyrën si funksionon motivimi dhe përjetimi i kënaqësisë, me pasoja që mund të shtrihen deri në mënyrën si ky brez do të punojë, do të përqendrohet dhe do të përballet me realitetin në të ardhmen.
Kur një përdorim i lartë i lojërave kalon nga “zakon i fortë” në një varësi problematike? Cilat janë shenjat që ju i konsideroni alarmante?
Shenjat alarmante janë gjithmonë nga roli që i vendoset lojës në jetën e fëmijës. Pra, nëse fëmija po i jep përparësi lojës mbi shkollën, mbi gjumin, mbi kohën me shokët. Mund të lexohet nga sjelljet izoluese, ndryshimet e humorit (bëhen përgjithësisht më agresivë, më lehtësisht të irritueshëm, mund të shfaqin edhe shenja ankthi).
Gjithashtu duhet vënë re nëse kur pyetet mbi kohën e kaluar në lojë, gënjen ose shmang të vërtetën, na tregon që ka një mungesë kontrolli që vetë fëmija ta ndalojë lojën.
A po shihni një rritje reale të rasteve të varësisë nga videolojërat te fëmijët dhe adoleshentët, apo është thjesht rritje e ndërgjegjësimit për fenomenin?
Mendoj që ka dukshëm një rritje të rasteve, sepse edhe lojërat janë gjithnjë e më shumë të dizenjuara për të krijuar varësi. Zakonisht dizenjohen me mekanizma të sistemit të shpërblimit me dopaminë. Ky i fundit është mekanizëm thelbësor neurobiologjik në tru që rregullon motivimin, përforcimin dhe përjetimin e kënaqësisë.
Ky mekanizëm mbështetet në neurotransmetuesin dopaminë për të sinjalizuar vlerën e shpërblimeve dhe për të formësuar të nxënit dhe sjelljen e drejtuar nga qëllimi. Çrregullimi i këtij sistemi është një nga problemet që vërejmë në varësi, depresion dhe çrregullime të tjera psikiatrike.
Por, për shkak të teknologjisë së avancuar dhe vëmendjes që i jepet në shumë mediume, është rritur edhe ndërgjegjësimi i prindërve, e për pasojë tentojnë të tregohen më të kujdesshëm. Gjithashtu përdorimi i lartë ka sjellë edhe shtim të varësisë ndaj lojërave si një diagnozë.
A ka dallim mes fëmijëve që përdorin lojërat si argëtim dhe atyre që i përdorin si mënyrë për të shmangur ankthin, stresin apo problemet sociale?
Siç e përmenda edhe më sipër, fëmijët që krijojnë varësi e kanë lojën arrati. Ata kanë vështirësi të shkëputen nga loja, dhe nuk kanë interesa të tjerë përveç saj. Fëmijët që e përdorin lojën thjesht si argëtim, e njohin sensin e masës, mund të shkëputen më lehtësisht dhe nuk shfaqin irritim apo shenja ankthi kur shkëputen.
Nëse do ta shihnit këtë brez pas 10–15 vitesh, çfarë tiparesh mendoni se do të jenë më të theksuara tek ata që kanë pasur ekspozim të lartë ndaj gaming?
Nëse ky ekspozim ka qenë problematik gjasat janë që do të shfaqin probleme me varësitë, do ta kenë të vështirë të angazhohen në punë apo aktivitete që nuk kanë një shpërblim të menjëhershëm, problematika të larta me vëmendjen dhe sigurisht mungesë të theksuar të vetërregullimit emocional.
A rrezikojmë të kemi një brez që e ka më të vështirë të përshtatet me strukturën e punës, oraret dhe kërkesën për disiplinë të vazhdueshme?
Po, rrezikojmë. Këtë e shohim dhe tek të rinjtë në fillim të të 20-ave. Sepse bota e lojërave, jep shpërblim konstant, ka ngjyra dhe forma që nuk janë monotone apo të përsëritura, gjë që sjell që të rinjtë të jenë të paaftë për të ndërtuar durim dhe tolerancë ndaj monotonisë së punës normale.
Gjithsesi, ndërhyrjet e hershme dhe marrja e masave mund të ndihmojnë shumë në menaxhimin e këtyre rreziqeve./monitor.al
