Sipas një rishikimi të pavarur të përshkruar si më i madhi në historinë e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS) të Mbretërisë së Bashkuar, më shumë se 500 gra dhe foshnja të porsalindura pësuan dëme potencialisht të shmangshme gjatë 13 viteve për shkak të “dështimeve të rrënjosura dhe sistemike” në shërbimet e maternitetit të menaxhuara nga Spitalet Universitare Nottingham NHS Trust.
Rishikimi gjithashtu identifikoi një “kulturë ngacmuese dhe toksike” brenda shërbimit, si dhe një “dështim të vazhdueshëm për të dëgjuar nënat dhe baballarët”, duke përfshirë raportime se grave në lindje aktive u ishte thënë të “mbledhin veten”.
Raporti prej 401 faqesh, i udhëhequr nga ekspertja e lindjes Donna Ockenden, zbuloi se 444 gra dhe 76 foshnja të porsalindura pësuan dëme “potencialisht të shmangshme” si rezultat i kujdesit nën standard në Qendrën Mjekësore të Mbretëreshës dhe Spitalin e Qytetit Nottingham.
Raporti përshkroi mundësi të humbura në mënyrë të përsëritur për të parandaluar dëmet, mungesë të vazhdueshme të personelit dhe dështime për të nxjerrë mësime nga incidentet e mëparshme të sigurisë. Ai gjithashtu theksoi ekzistencën e një kulture ku ngacmimi dhe “grupet frikësuese” mes stafit ishin të përhapura.
“Ajo që ndodhi këtu nuk mund të lejohet të mbetet në hije”, tha Ockenden, duke bërë thirrje për “veprime të menjëhershme dhe thelbësore në mbarë Anglinë” në përgjigje të përfundimeve të raportit.
Familjet e prekura nga këto dështime thanë se u përballën me vite vonesash përpara se shqetësimet e tyre të pranoheshin.
Gary Andrews, vajza e të cilit vdiq 23 minuta pas lindjes në vitin 2019, tha se “nuk duhej të duheshin kaq shumë vite që familjet të dëgjoheshin”.
“Ke një situatë ku drejtuesit e lartë janë aq të shqetësuar për menaxhimin e reputacionit sa nuk duan që familjet të kuptojnë dëmin që kanë pësuar. Ne kemi nevojë për veprim. Kemi nevojë për ndryshim”, tha ai për BBC Radio Nottingham.
Në përgjigje të raportit, drejtuesit kryesorë kërkuan falje, duke deklaruar se “kërkojnë falje pa asnjë rezervë” ndaj grave dhe familjeve që “kanë pësuar dëme, humbje, trauma ose shqetësime”./mxh