Deklaratat e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, lidhur me përdorimin e bazave ushtarake amerikane në Itali, gjatë luftës me Iranin kanë shkaktuar debat të fortë në Romë.
Ministria e Mbrojtjes e Italisë e ka akuzuar Rutte për dhënien e një “mesazhi krejtësisht të gabuar” mbi llojet e fluturimeve të autorizuara nga qeveria italiane.
Në një intervistë për “Fox News”, Rutte deklaroi se rreth 500 avionë amerikanë ishin ngritur nga bazat në Itali, në mbështetje të operacionit “Epic Fury”.
Por, autoritetet italiane e kundërshtuan këtë version, duke theksuar se Roma ka lejuar vetëm fluturime “teknike dhe logjistike”, dhe jo operacione luftarake.
“Sa herë që është kërkuar autorizim jashtë këtij kuadri, Italia nuk e ka miratuar atë”, thuhet në reagimin zyrtar.
Deklaratat vijnë në një moment tensionesh diplomatike, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump ka akuzuar disa aleatë evropianë, përfshirë Italinë, Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë, se nuk kanë mbështetur mjaftueshëm Uashingtonin gjatë luftës me Iranin.
Rutte pritet të takohet, më vonë gjatë ditës, me presidentin amerikan Trump në Shtëpinë e Bardhë, në një përpjekje për të ulur tensionet mes NATO-s dhe administratës amerikane.
Ai ka deklaruar se, pavarësisht pakënaqësive të shprehura, shumica e fluturimeve ushtarake amerikane në Evropë, janë kryer në kuadër të aktiviteteve të zakonshme të aleancës./mxh
