Britania e Madhe ka sinjalizuar gatishmërinë për të luajtur një rol aktiv në fazën e dytë të armëpushimit në Gaza. Kryeministri britanik, Keir Starmer, deklaroi se Londra mbështet masat që po ndërmerren në Lindjen e Mesme, veçanërisht armëpushimin aktual, por theksoi se procesi duhet të avancojë më tej.
“Situata në Lindjen e Mesme është e brishtë. Ka një armëpushim, por ne duhet të kalojmë në fazën e dytë. Nuk duhet ta humbasim këtë nga vëmendja,” u shpreh Starmer gjatë një konference për shtyp.
Komentet e kryeministrit britanik erdhën pasi u pyet për nismën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, të quajtur “Bordi i Paqes”, një iniciativë e promovuar nga presidenti amerikan Donald Trump, që synon zgjidhjen e konflikteve në nivel global.
Starmer bëri të ditur se Britania po zhvillon bisedime me aleatët për kushtet dhe rolin e këtij Bordi të Paqes, duke theksuar se Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të japë kontributin e saj.
Ndërkohë, një mandat për krijimin e një Bordi të Paqes për Gazën është autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara që në muajin nëntor, por vetëm deri në vitin 2027 dhe i fokusuar ekskluzivisht në konfliktin e Gazës. Rusia dhe Kina abstenuan gjatë votimit, duke argumentuar se rezoluta nuk i jepte OKB-së një rol të qartë në të ardhmen e Gazës.
Presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka shprehur ambicien për të fituar Çmimin Nobel për Paqen, ka njoftuar se Bordi i Paqes do të mblidhet së shpejti, duke e cilësuar atë si një nismë unike dhe të paprecedentë./mxh
