Raporti tronditës mbi papunësinë e të rinjve në Britani paralajmëron për një ‘brez të humbur’.
Britania “rrezikon një brez të humbur” nëse ministrat nuk arrijnë të trajtojnë urgjentisht papunësinë e të rinjve, me frikën se mbi 1 milion të rinj mund të mbeten jashtë punës, arsimit dhe trajnimit gjatë pesë viteve të ardhshme.
Alan Milburn, ish-ministër i Shëndetësisë nga Laburistët, i cili po drejton një studim të kësaj çështjeje për qeverinë, ia atribuon këtë mungesës së vendeve të punës një “dështimit të sistemit që ka mbetur i bllokuar në të kaluarën”.
“Rrezikojmë një brez të humbur”
Në raportin e tij të ndërmjetëm, Milburn pritet të paralajmërojë se pa veprim urgjent, numri i të rinjve që nuk janë në arsim, punë apo trajnim (NEET) do të rritet nga 1 në 8 në 1 në 6 deri në vitin 2031, duke prekur rreth 1.25 milion të rinj.
Ai gjithashtu do të theksojë se hapi i parë në karrierë është “tkurrur”, duke thënë se puna e parë ose përvoja e punës shpesh është bërë e paarritshme për shumë të rinj, duke i lënë ata në një “bllokim të dëshpëruar”.
“Gjashtë në dhjetë nuk kanë pasur kurrë një punë. 20 vjet më parë, kjo shifër ishte më afër katër në dhjetë. Shkëputja nuk është më e përkohshme. Për shumë të rinj po bëhet e përhershme. Rrezikojmë një brez të humbur”, thotë Milburn.
Bizneset kanë kritikuar qeverinë laburiste se po e bën më të vështirë krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë, duke përmendur rritjen e pagës minimale dhe kontributeve më të larta të sigurimeve.Studimi i Milburn pritet të shqyrtojë edhe pagën minimale për të rinjtë; më herët ai ka deklaruar se qeveria duhet të sigurojë që politikat të krijojnë “stimujt e duhur për punëdhënësit që të punësojnë më shumë të rinj, jo më pak”.
Sistemi nuk po i ndihmon të rinjtë
Studimi ka zbuluar se 84% e të rinjve që nuk janë në praktikë pune dëshirojnë të punojnë ose të trajnohen, por sistemi nuk i ndihmon të sigurojnë një vend të tillë.
Ai paralajmëron se shkollat, sistemi shëndetësor, sistemi i mirëqenies dhe tregu i punës në Britani nuk janë më të përshtatshëm për qëllimin e tyre dhe se shtimi i programeve të reja në një sistem problematik nuk do të funksionojë.
Duke theksuar rënien e madhe të vendeve të punës për nivelin fillestar në Mbretërinë e Bashkuar, raporti thotë se ka 1.6 milion vende pune më pak për punë me aftësi të ulëta dhe të mesme në ekonomi.
Gjithashtu paralajmërohet se vendet e lira të punës në sektorin e hotelerisë janë përgjysmuar vetëm në katër vitet e fundit, dhe punët e fundjavës janë gjithashtu në rënie. Ndërkohë, numri i personave që fillojnë një praktikë profesionale është ulur me 35% gjatë dekadës së fundit./A.D
