Britney Spears ka folur sërish për një nga periudhat më të vështira të jetës së saj, duke pranuar se përjetimet gjatë kujdestarisë ligjore vazhdojnë ta lëndojnë edhe sot. Këngëtarja amerikane nuk e fsheh zhgënjimin për vitet kur, sipas saj, liria dhe vendimmarrja për jetën e saj ishin të kufizuara nga të tjerët.
44-vjeçarja ndau së fundmi një video në Instagram, e shoqëruar me një shënim të gjatë që më pas e fshiu. Në reagimin e saj, Spears iu drejtua personave që e kanë etiketuar si të çmendur, duke reflektuar mbi atë që ka kaluar dhe mbi mënyrën se si është trajtuar ndër vite.
“Po, jam e hidhëruar”, shkroi artistja, duke lënë të kuptohet se koha e humbur dhe mundësitë që, sipas saj, iu mohuan, vazhdojnë të jenë burim dhimbjeje. Ajo theksoi se për një periudhë të gjatë nuk ka pasur mundësinë të jetojë sipas dëshirës së saj dhe të shfrytëzojë plotësisht potencialin personal. Sipas “Page Six”, në postim Spears ironizoi edhe mënyrën se si njerëzit e kanë perceptuar gjendjen e saj ndër vite.
Këngëtarja tregoi se për afro 15 vjet lëvizjet dhe jeta e saj kanë qenë të kufizuara, deri në atë pikë sa udhëtimet për të takuar një mikeshë nuk ishin diçka që mund ta bënte lirisht. Ajo përmendi gjithashtu se vetëm rreth pesë vjet më parë kishte mundur të mbante për herë të parë një kartëmonedhë njëdollarëshe, një detaj që përdori për të ilustruar mungesën e pavarësisë financiare që pretendon se ka përjetuar.
Një kapitull i vështirë që zgjati gati 14 vjet
Britney Spears u vendos nën kujdestari ligjore në vitin 2008, pas një periudhe të trazuar në jetën e saj private. Gjatë kësaj kohe, babai i saj, Jamie Spears, pati një rol të rëndësishëm në administrimin e financave dhe çështjeve personale të këngëtares.
Në vitin 2021, ylli i pop-it vendosi të fliste publikisht për atë që kishte përjetuar, duke dëshmuar përpara gjykatës në Kaliforni. Ajo e cilësoi sistemin e kujdestarisë si abuziv dhe kërkoi t’i jepej fund kontrollit të të atit mbi jetën e saj.
“Mendova se po përpiqeshin të më vrisnin. Nëse kjo nuk është abuzim, nuk e di çfarë është”, ishte një nga deklaratat e saj më të forta gjatë asaj periudhe.
Pas gati 14 vitesh, kujdestaria përfundoi në nëntor të vitit 2021. Megjithatë, marrëdhëniet me familjen, përfshirë të atin Jamie dhe nënën Lynn Spears, kanë mbetur një çështje e ndjeshme për këngëtaren, e cila ka mbajtur distancë prej tyre.
Jeta pas përfundimit të kujdestarisë
Pas rikthimit të pavarësisë, Spears është përpjekur të ndërtojë një kapitull të ri në jetën e saj. Ajo është nënë e dy djemve, Sean Preston dhe Jayden James, nga martesa me Kevin Federline. Në vitin 2022, këngëtarja u martua me Sam Asghari, por martesa e tyre përfundoi me divorc në vitin 2024.
Një vit para kësaj, ajo publikoi autobiografinë “The Woman in Me”, ku rrëfeu për karrierën, jetën personale dhe përvojat e saj gjatë kujdestarisë ligjore. Libri u dha fansave një pasqyrë më të drejtpërdrejtë të ngjarjeve që kanë ndikuar në jetën e saj.
Ndërkohë, në jetën e këngëtares ka pasur edhe zhvillime të tjera. Sipas raportimeve, ajo u arrestua më 4 mars 2026, nën dyshimin për drejtim automjeti në gjendje të dehur. Në maj, përfaqësuesi i saj ligjor pranoi një akuzë më të lehtë, të njohur si “wet reckless”, që lidhet me drejtimin e pakujdesshëm të automjetit në rrethana të përfshira nga përdorimi i alkoolit. Si pjesë e masave të vendosura, Spears u dënua me një vit mbikëqyrje joformale dhe me përfundimin e një programi edukimi për alkoolin prej 30 orësh, të shtrirë në tre muaj.
Pavarësisht viteve që kanë kaluar nga përfundimi i kujdestarisë, deklaratat e fundit tregojnë se kjo periudhë mbetet një plagë e hapur për Britney Spears. Përmes reagimeve të saj publike, këngëtarja vazhdon të shprehë pakënaqësinë për mënyrën se si është trajtuar dhe për pasojat që, sipas saj, kjo përvojë ka lënë në jetën e saj./mxh
