Britney Spears ka folur sërish hapur për marrëdhënien e vështirë me familjen e saj, duke shprehur zemërimin dhe dhimbjen për kujdestarinë ligjore që zgjati 13 vjet dhe që, sipas saj, i kufizoi rëndë lirinë personale.
Këngëtarja amerikane, e cila u lirua nga kujdestaria në nëntor të vitit 2021, ka kritikuar vazhdimisht mënyrën se si u trajtua gjatë kësaj periudhe. Kujdestaria, e vendosur në vitin 2008, i jepte të atit, Jamie Spears, kontroll të konsiderueshëm mbi çështjet financiare dhe aspekte të tjera të jetës së saj.
Në një postim në Instagram, të cilin më vonë e fshiu, Spears iu përgjigj kritikave të njerëzve që e kishin cilësuar si “të çmendur”. Ajo theksoi se, sipas përvojës së saj, vitet e kaluara nën kujdestari i kishin mohuar mundësinë për të jetuar e lirë dhe për të marrë vetë vendime për jetën e saj.
Po, jam e hidhëruar-shkroi këngëtarja, duke iu referuar kohës dhe mundësive që beson se i humbi gjatë kësaj periudhe.
Në mesazhin e saj, Britney tregoi se për rreth 15 vjet nuk kishte mundur të udhëtonte lirisht, madje as për të vizituar një mikeshë. Ajo përmendi gjithashtu se vetëm rreth pesë vjet më parë kishte mundur të mbante për herë të parë një kartëmonedhë prej një dollari, duke e përdorur këtë shembull për të shprehur pakënaqësinë ndaj kufizimeve financiare që, sipas saj, kishte përjetuar.
Kujdestaria ligjore u vendos në shkurt të vitit 2008, pas një periudhe të vështirë në jetën personale të këngëtares. Gjatë kësaj kohe, babai i saj, Jamie Spears, pati kontroll të gjerë mbi financat dhe aspekte të rëndësishme të jetës së saj.
Në qershor të vitit 2021, Britney dëshmoi para gjykatës në Kaliforni, duke e cilësuar kujdestarinë si abuzive dhe duke kërkuar t’i jepej fund kontrollit mbi jetën e saj. Kujdestaria u ndërpre zyrtarisht në nëntor të po atij viti, pas gati 14 vjetësh.
Edhe pas përfundimit të kujdestarisë, marrëdhënia e këngëtares me prindërit e saj, Jamie dhe Lynn Spears, ka mbetur e vështirë. Deklaratat e fundit tregojnë se përvoja vazhdon të jetë një çështje e ndjeshme për të.
Në autobiografinë e saj “The Woman in Me”, të publikuar në vitin 2023, Spears rrëfeu më gjerësisht për karrierën, jetën private dhe vitet e kaluara nën kujdestari.
Rrëfimi i saj i fundit ka rikthyer diskutimin mbi një nga periudhat më të debatuara të jetës së yllit të pop-it, ndërsa këngëtarja vazhdon të shprehë publikisht pakënaqësinë për humbjen e lirisë dhe kontrollit mbi vendimet e saj personale./k.m
