Komisioni Europian po përgatitet të ulë parashikimet e rritjes ekonomike, pavarësisht armëpushimit dyjavor të luftës me Iranin
BE-ja do të goditet sërish nga një “tronditje stagflacioniste”, me rritje të ulët dhe inflacion në rritje, pavarësisht se SHBA-ja dhe Irani ranë dakord për një armëpushim dyjavor, ka paralajmëruar zyrtari më i lartë ekonomik i bllokut.
Komisioneri Europian për Ekonominë, Valdis Dombrovskis, tha se Komisioni Europian po përgatitet të ulë parashikimin e tij të rritjes për këtë vit, ndërsa pasojat e konfliktit në Lindjen e Mesme mbeten shumë të pasigurta.
“Është sigurisht një hap i mirëpritur drejt uljes së tensioneve dhe gjithashtu pritet të sjellë lehtësim sa i përket krizës energjetike”, tha Dombrovskis për armëpushimin.
Por ai paralajmëroi se “për ndikimin ekonomik të luftës në Iran, sigurisht që ai mbetet ende subjekt i një pasigurie të lartë” dhe se “është e qartë që po përballemi me një tronditje stagflacioniste”.
Komisioni do të përditësojë parashikimin e tij zyrtar për PBB-në në maj. Përpara se të niste konflikti, ai kishte parashikuar që rritja në BE të mbetej në 1.4 për qind këtë vit dhe 1.5 për qind në vitin 2027, me inflacionin pak mbi 2 për qind këtë vit dhe vitin e ardhshëm.
Por skenarët e fundit ekonomikë të përpunuar nga Komisioni vlerësojnë se rritja mund të ngadalësohet deri në 0.4 pikë përqindjeje këtë vit, nëse çmimet e energjisë kthehen në nivelet e para luftës me Iranin deri në fund të vitit 2026. Rritja mund të ngadalësohet me 0.6 pikë përqindjeje si këtë vit, ashtu edhe vitin e ardhshëm, nëse çmimet e energjisë kërkojnë më shumë kohë për t’u kthyer në nivelet e para luftës.
Inflacioni pritet gjithashtu të rritet deri në 1 pikë përqindjeje këtë vit në skenarin e parë të komisionit, dhe deri në 1.5 pikë përqindjeje si këtë vit, ashtu edhe në vitin 2027 në skenarin e dytë.
Investitorët kanë paralajmëruar se një rënie e qëndrueshme e çmimeve të naftës dhe gazit do të varet nga fakti nëse Teherani do të lirojë kontrollin e tij mbi rrugën kyçe të eksporteve, Ngushticën e Hormuzit, përtej armëpushimit dyjavor.
FT raportoi të mërkurën se Irani do t’u kërkojë kompanive të transportit detar të paguajnë tarifa në kriptomonedha për cisternat e naftës që kalojnë nëpër ngushticë, ndërsa kërkon të ruajë kontrollin e kësaj rruge ujore gjatë armëpushimit.
Disa vende të BE-së, përfshirë Italinë, Poloninë dhe Spanjën, kanë vendosur masa si ulja e taksave mbi karburantin për të mbrojtur industritë dhe familjet e tyre nga çmimet më të larta të energjisë.
Dombrovskis përsëriti se shtetet anëtare nuk duhet ta kthejnë krizën energjetike në një krizë fiskale përmes shpenzimeve të tepruara.
“Kemi më pak hapësirë për manovrim fiskal sesa kishim më parë” dhe për këtë arsye “duhet të kemi masa që janë qartësisht të përkohshme dhe të targetuara, me ndikim të kufizuar fiskal.”
Komisioni do të vlerësojë në qershor nëse vendet janë në rrugën e duhur për të përmbushur objektivat e tyre për uljen e borxhit dhe deficitit, si dhe nëse duhet të thellojë të ashtuquajturat “procedura për deficit të tepruar” kundër vendeve që nuk i kanë ulur deficitet e tyre në nivelet e dakordësuara.
Procedura për deficit të tepruar konsiderohet si një sinjal negativ për financat publike të një vendi dhe, në fund, mund të pasohet edhe me sanksione financiare nga BE-ja.
Italia kishte shpresuar të dilte nga procedura këtë vit. Por dy zyrtarë të BE-së paralajmëruan se kjo tani nuk ka gjasa, pasi agjencia statistikore e Italisë tha së fundi se deficiti i vendit rezultoi 3.1 për qind e PBB-së vitin e kaluar, mbi kërkesën e BE-së për të qenë “nën 3 për qind”.
Që prej fillimit të luftës me Iranin, Roma i ka kërkuar Brukselit të pezullojë përkohësisht rregullat e tij fiskale përmes një “klauzole të përgjithshme shpëtimi”. Kjo u aktivizua gjatë pandemisë së Covid-19 për t’u lejuar qeverive të shpenzonin për ta nxjerrë veten nga kriza.
Por Dombrovskis tha se “klauzola e përgjithshme e shpëtimit është aty për të trajtuar një rënie të rëndë ekonomike në BE ose në Eurozonë, dhe aktualisht ne nuk jemi në këtë skenar”. /monitor.al
