Last Updated on 20/11/2026 by Monika
Produktet kozmetike që tregtohen në Shqipëri pritet t’u nënshtrohen rregullave më të rrepta për përbërjen, sigurinë dhe etiketimin. Një projektligj i ri, i publikuar për konsultim publik, parashikon ndalimin e disa substancave të rrezikshme për shëndetin, kufizime për testimet te kafshët dhe detyrimin që informacionet kryesore në etiketat e produkteve të jenë në gjuhën shqipe.
Ndryshimet janë pjesë e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 26/2017, ‘Për produktet kozmetike’”, i cili synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me rregullat e Bashkimit Europian.
Sipas relacionit shpjegues, ndryshimet nuk synojnë zëvendësimin e sistemit ekzistues të rregullimit të produkteve kozmetike, por plotësimin e tij me dispozita më të qarta, në përputhje me Rregulloren Evropiane nr. 1223/2009.
Një nga ndërhyrjet më të rëndësishme lidhet me përbërjen e produkteve kozmetike dhe përdorimin e substancave që mund të paraqesin rrezik për shëndetin.
Projektligji parashikon ndalimin e përdorimit të substancave të klasifikuara si kancerogjene, mutagjene ose toksike për riprodhimin, të njohura si substanca CMR, të kategorive 1A dhe 1B.
Megjithatë, dokumenti parashikon përjashtime të kufizuara, vetëm në rastet kur plotësohen njëkohësisht disa kushte, përfshirë mungesën e alternativave të përshtatshme, përdorimin për kategori specifike produktesh dhe vlerësimin shkencor që konfirmon sigurinë e substancës në kushtet e përcaktuara të ekspozimit.
Produktet që do të lejohen të përmbajnë substanca të tilla duhet të shoqërohen edhe me kërkesa të veçanta etiketimi, për të informuar konsumatorët mbi rreziqet e mundshme dhe mënyrën e përdorimit.
Ndërkohë, qeveria do të miratojë me vendim listën e substancave të ndaluara ose me përdorim të kufizuar, si dhe rregullat për ngjyruesit, konservuesit dhe filtrat UV që lejohen të përdoren në produktet kozmetike.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me ndalimin e testimeve të produkteve kozmetike te kafshët.
Sipas projektligjit, do të ndalohet kryerja e testimeve te kafshët për produktet kozmetike të përfunduara, si dhe për përbërësit e tyre, në kushtet e përcaktuara nga ligji dhe kur ekzistojnë metoda alternative të vlefshme e të njohura.
Ndalimi shtrihet edhe te vendosja në treg e produkteve kozmetike ose përbërësve që janë testuar te kafshët për përmbushjen e kërkesave të ligjit, duke përdorur metoda të ndryshme nga alternativat e njohura.
Projektligji vendos gjithashtu kushte më të forta për përdorimin e pretendimeve tregtare se një produkt nuk është testuar te kafshët. Prodhuesit dhe shpërndarësit nuk do të mund ta përdorin një deklarim të tillë në ambalazh apo në materialet shoqëruese nëse nuk përmbushen kërkesat ligjore që lidhen me testimin e produktit, prototipit dhe përbërësve të tij.
Ndryshime parashikohen edhe për produktet kozmetike që përmbajnë nanomateriale, për të cilat vendosen kërkesa të posaçme njoftimi dhe vlerësimi të sigurisë.
Sipas draftit, personi përgjegjës duhet të njoftojë elektronikisht ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë gjashtë muaj përpara vendosjes në treg të produkteve që përmbajnë nanomateriale, sipas kushteve të përcaktuara në ligj.
Njoftimi duhet të përfshijë informacion mbi identitetin e nanomaterialit, karakteristikat fizike dhe kimike, sasinë e parashikuar për tregtim, profilin toksikologjik, të dhënat e sigurisë dhe kushtet e ekspozimit.
Një pjesë e ndryshimeve prek drejtpërdrejt edhe bizneset që importojnë, shpërndajnë apo tregtojnë produkte kozmetike.
Projektligji forcon detyrimin e shpërndarësve për të vepruar me kujdesin e duhur në respektimin e kërkesave ligjore. Në rastet kur një shpërndarës përkthen me nismën e tij etiketën e një produkti kozmetik të vendosur më parë në treg, ai duhet t’i paraqesë elektronikisht ministrisë informacion mbi produktin, emërtimin përpara dhe pas përkthimit, si dhe të dhënat identifikuese të shpërndarësit dhe personit përgjegjës.
Kjo masë synon të rrisë gjurmueshmërinë e produkteve dhe të shmangë problematikat që mund të krijohen nga ndryshimet në informacionin e etiketimit.
Ndërkohë, personi përgjegjës për produktin duhet të sigurojë që dosja e informacionit të tij të jetë lehtësisht e aksesueshme për autoritetet kontrolluese, në format elektronik ose në një format tjetër, në adresën e deklaruar në etiketë.
Kjo dosje përmban dokumentacionin që mundëson verifikimin e sigurisë së produktit dhe përputhshmërisë së tij me kërkesat ligjore.
Ndryshime të rëndësishme propozohen edhe për etiketimin e produkteve kozmetike që tregtohen në Shqipëri.
Sipas draftit, informacioni për përmbajtjen nominale, datën e jetëgjatësisë minimale, masat e veçanta paraprake për përdorim dhe funksionin e produktit duhet të jepet në gjuhën shqipe.
Në rastet kur, për arsye praktike, lista e përbërësve ose masat paraprake nuk mund të vendosen drejtpërdrejt në ambalazh, informacioni mund të jepet përmes një fletëudhëzimi, etikete, shiriti apo karte të bashkëngjitur me produktin, sipas kushteve të përcaktuara.
Për konsumatorët parashikohet edhe zgjerimi i aksesit në informacion mbi përbërjen e produkteve kozmetike./mxh
