Hungaria ka kërkuar rifillimin e menjëhershëm të dërgesave të naftës përmes tubacionit “Druzhba”, duke paralajmëruar se, deri atëherë, do të bllokojë paketën e ardhshme të sanksioneve të Bashkimit Europian kundër Rusisë, si edhe vendime të rëndësishme në mbështetje të Ukrainës.
Në një deklaratë për mediat përpara mbledhjes së Këshillit të Punëve të Jashtme në Bruksel, ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, tha se tubacioni “Druzhba” nuk është dëmtuar nga sulmet ruse dhe se nuk ekziston asnjë pengesë fizike apo teknike për rifillimin e furnizimit me naftë.
Sipas tij, ndërprerja e dërgesave është një vendim thjesht politik i Ukrainës, që synon të ushtrojë presion ndaj Budapestit për të ndryshuar qëndrimin lidhur me anëtarësimin e Kievit në Bashkimin Europian dhe çështje të tjera strategjike. Szijjarto deklaroi se “topi është në fushën e Ukrainës” dhe se Hungaria nuk do të ndryshojë pozicion derisa furnizimi me naftë të rikthehet.
Ai akuzoi gjithashtu shtetin ukrainas për qasje armiqësore ndaj Hungarisë gjatë dekadës së fundit, duke pretenduar se janë cenuar të drejtat e komunitetit hungarez në Ukrainë dhe është vënë në rrezik siguria energjetike e vendit të tij.
Deklaratat e ministrit hungarez vijnë në një kohë tensionesh të larta mes Budapestit dhe Kievit, ndërsa Bashkimi Europian po diskuton një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, në kuadër të luftës në Ukrainë. Hungaria ka qenë ndër vendet që ka mbajtur një qëndrim më të rezervuar ndaj sanksioneve dhe mbështetjes së pakushtëzuar për Kievin./mxh
