Në Romë, një zbulim i jashtëzakonshëm ka rikthyer vëmendjen drejt një prej mjeshtrave më të mëdhenj të Rilindjes. Një bust mermeri i Jezus Krishtit, që ndodhet në Bazilikën Sant’Agnese fuori le mura, është riatribuar si punë origjinale e Michelangelos pas pothuajse dy shekujsh anonimati.
Hulumtimi, i prezantuar të mërkurën, është kryer nga studiuesja italiane Valentina Salerno, e cila për dhjetë vjet ka analizuar dokumente, inventare dhe korrespondencë të arkivuar për të ndjekur gjurmët e veprës së madhit artist. Sipas saj, dokumentet sfidojnë idenë se Michelangelo shkatërronte veprat e papërfunduara; shumë prej tyre u ruajtën brenda rrjeteve të besnikëve të artistit dhe u vendosën në institucione kishtare, pa hyrë në tregun e artit.
Ky bust, që tani qëndron në një kapelë anësore të bazilikës, konsiderohet pjesë e këtij rrjeti të fshehtë, që ka siguruar ruajtjen e veprave të humbura të Michelangelos. Salerno e përshkruan zbulimin si “revolucionar”, pasi ndryshon rrëfimin e jetës së fundit të artistit dhe historinë e veprave të tij të panjohura./mxh
