Edicioni i ri i “Big Brother VIP Kosova” do të vijë me një ndryshim të dukshëm që në pamjen e studios. Pak ditë para nisjes së spektaklit, moderatori Alaudin Hamiti ka zbuluar se skenografia që shoqëroi katër sezonet e mëparshme po i lë vendin një studioje krejtësisht të re.
Përmes një videoje të publikuar në Instagram, Hamiti ka ndarë pamje nga çmontimi i ambientit të vjetër, duke lënë të kuptohet se përgatitjet për edicionin e ri po shoqërohen me një transformim të plotë të hapësirës ku do të zhvillohet spektakli.
“Bye bye skenografia e vjetër. Emocione të reja na presin në një studio krejtësisht të re”, ka shkruar moderatori krahas videos, duke paralajmëruar kështu një tjetër risi për publikun që pret rikthimin e formatit.
Ndryshimi vjen në prag të premierës së këtij edicioni, e cila është planifikuar për këtë të premte. Mbetet për t’u parë se si do të duket studioja e re dhe çfarë surprizash të tjera do të sjellë produksioni për banorët dhe shikuesit.
Ndërkohë, ky sezon do të shënojë edhe një ndryshim në prezantim. Jonida Vokshi nuk do të jetë më në krah të Alaudin Hamitit, me të cilin drejtoi katër edicionet e para të “Big Brother VIP Kosova”.
Me një skenografi të re dhe ndryshime në moderim, edicioni i sivjetshëm pritet të sjellë një tjetër atmosferë për një nga formatet më të ndjekura të ekranit në Kosovë./mxh
