Pas dekadash në majën e gastronomisë botërore me pastën, picën dhe tiramisunë, Italia po pret një vendim të rëndësishëm nga UNESCO, i cili mund ta njohë kuzhinën italiane si “Trashëgimi Jomateriale e Njerëzimit”.
Vlerësimi paraprak i 10 nëntorit i ka hapur rrugën kësaj njohjeje, por vendimi final pritet të merret në Nju Delhi, ku Komiteti Ndërqeveritar mund të konfirmojë ose të ndryshojë rekomandimin.
Në Romë, pritja është e etur, veçanërisht në restorantin historik “Le Cave di Sant’Ignazio–Da Sabatino”, një institucion familjar që prej katër brezash. Pronaria, Luigina Pantalone, thotë se sekreti i suksesit qëndron te përkushtimi ndaj traditës.
Ajo shpjegon se restoranti është familjar dhe se ata nuk ndryshojnë, sepse njerëzve u pëlqen të ndihen si në shtëpi. Restoranti është i mbushur çdo ditë me turistë, por ka edhe klientelë të veçantë si politikanë, aktorë, shkrimtarë dhe personalitete të njohura botërore.
Pantalone thotë se punojnë me shumë turistë, por kanë edhe një klientelë shumë të rëndësishme. Ajo kujton se dikur ky ishte vendi ku njerëzit vinin pas teatrit dhe hanin deri në katër apo pesë të mëngjesit.
Në muret e restorantit spikasin fotot me liderë botërorë. Ndër historitë më të paharrueshme, Pantalone kujton vizitën e ish-presidentit amerikan Bill Clinton, i cili kishte ardhur në Romë për funeralin e Papës, së bashku me ish-presidentin ukrainas Viktor Jushenko.
Fotografi të Ivanka Trump, Jared Kushner dhe personaliteteve të tjera zbukurojnë ambientin, por ajo që tërheq më shumë klientët mbetet kuzhina tradicionale romane, veçanërisht carbonara është krenaria e shtëpisë.
Ai shprehet se carbonara e restorantit është garanci dhe se, sipas tij, është përgatitur në mënyrë perfekte.
Edhe turistët thonë se ndihen si në shtëpi teksa përjetojnë shijet autentike të Italisë.
Miratimi i kuzhinës italiane nga UNESCO do të përbënte një triumf kulturor dhe një mbrojtje të rëndësishme ndaj konkurrencës së padrejtë që, sipas Italisë, po dëmton autenticitetin e traditës kulinare./mxh
