Last Updated on 10/10/2026 by EL
Qytetarët çekë po votojnë këtë të shtunë, në ditën e dytë të zgjedhjeve për përfaqësuesit vendorë dhe për një të tretën e anëtarëve të Senatit. Procesi shihet si një test i mbështetjes publike për kryeministrin Andrej Babis partia e të cilit synon të forcojë pozitat në dhomën e lartë të parlamentit.
Babis, i cili ka drejtuar më parë qeverinë nga viti 2017 deri në vitin 2021, u rikthye në pushtet pasi partia e tij ANO fitoi bindshëm zgjedhjet parlamentare të tetorit 2025. ANO, e cila vijon të kryesojë sondazhet si partia më e mbështetur në vend, formoi një qeveri koalicioni me orientim nacionalist së bashku me Motoristët për Veten (AUTO) dhe partinë Liria dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë (SPD).
Babis, miliarder dhe themelues i grupit Agrofert, që operon në sektorët e ushqimit dhe kimikateve, synon që partia e tij të fitojë më shumë vende në Senatin me 81 anëtarë.
Që prej rikthimit në detyrë, Babiš është distancuar nga mbështetja për Ukrainën. Gjatë fushatës, ANO u përqendrua te çështjet e brendshme, duke premtuar masa për uljen e kostove të energjisë, përmirësimin e pensioneve dhe zgjidhjen e problemeve të strehimit. Partia kërkoi gjithashtu të përfitonte nga pakënaqësitë e qytetarëve lidhur me fondet që Çekia i ka dhënë Ukrainës.
Megjithatë, presidenti çek Petr Pavel mbetet një mbështetës i vendosur i Ukrainës, qëndrim të cilin e ndan edhe opozita.
Ndërkohë, Babis i mbijetoi në fillim të këtij muaji një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë, i lidhur pjesërisht me zgjerimin e deficitit buxhetor të vendit.
Qendrat e votimit mbyllen në orën 14:00 sipas orës lokale, ndërsa rezultatet e plota parashikohet të publikohen të dielën në mëngjes.
