Last Updated on 19/08/2026 by Monika
Céline Dion po përgatitet të rikthehet në skenë në Paris, pas më shumë se gjashtë vitesh nga koncertet e saj të fundit si artiste kryesore dhe pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rrallë neurologjike.
Këngëtarja 58-vjeçare u diagnostikua në vitin 2022 me sindromën e personit të ngurtë, një çrregullim që shkakton ngurtësim të muskujve dhe spazma të dhimbshme. Në një intervistë për Harper’s Bazaar, Dion tregoi se simptomat kishin nisur shumë vite më herët dhe se, në periudhat më të vështira, dhimbjet ishin aq të forta sa mezi arrinte të ecte. Ajo tha gjithashtu se kishte përdorur Valium për të mundur të vazhdonte të performonte.
Sëmundja e detyroi të anulonte pjesën e mbetur të turneut botëror Courage dhe të largohej për një periudhë të gjatë nga skena. Beteja e saj u dokumentua edhe në filmin I Am: Céline Dion, ku këngëtarja shfaqet gjatë trajtimeve dhe përballjes me spazmat e forta.
Pas një rikthimi simbolik në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit në vitin 2024, ku interpretoi “Hymne à l’amour” të Édith Piaf, Dion tashmë është gati për një rikthim të plotë.
Rezidenca e saj pesëjavore në Paris La Défense Arena nis më 12 shtator. 16 koncertet e para u shitën menjëherë, ndërsa kërkesa e lartë bëri që të shtoheshin edhe 10 data të tjera për majin e vitit 2027.
Për rikthimin, Dion po ndjek një program të intensive stërvitjeje dhe trajtimi, që përfshin fizioterapi, terapi vokale, imunoterapi, Pilates dhe balet.
Rikthimi i saj pritet të jetë një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të këtij viti në Paris, ndërsa koncertet mund të sjellin deri në 500 milionë euro për ekonominë lokale./mxh
