Lajmi u njoftua nga kryeministri hungarez Péter Magyar, i cili vuri në dukje se rënia e nivelit të lumit i detyroi autoritetet të mbyllin të fundit nga dy njësitë e fundit që ishin aktive.
“Prodhimi i centralit do të reduktohet fillimisht në 240 megavat dhe më pas centrali do të ndalojë plotësisht funksionimin për herë të parë në 44 vjet”, thuhet në postimin e tij në platformën X.
Centrali bërthamor Paks ndodhet rreth 100 kilometra në jug të Budapestit dhe është burimi kryesor i energjisë elektrike në Hungari, duke mbuluar rreth 40% të nevojave vjetore të vendit. Katër reaktorët e tij, të ndërtuar me teknologji sovjetike, përdorin ujin e Danubit për sistemin e ftohjes. Megjithatë, ulja drastike e nivelit të lumit ka krijuar probleme serioze për funksionimin e sigurt të centralit.
Kompania që administron Paks kishte paralajmëruar që të premten se, nëse niveli i Danubit do të vazhdonte të binte, ndalimi i plotë i centralit do të ishte i pashmangshëm brenda pak ditësh.
Ekspertët e lidhin këtë zhvillim me kushtet ekstreme klimatike që kanë goditur Evropën prej disa javësh. Thatësira e zgjatur dhe valët e njëpasnjëshme të të nxehtit kanë ulur nivelin e Danubit në pika historikisht të ulëta, duke ndikuar jo vetëm në lundrim, por tashmë edhe në infrastrukturën energjetike kritike të rajonit. /kb
