Një vaksinë e re eksperimentale kundër leucemisë ka dhënë rezultate premtuese në një studim klinik, duke ulur me 41% rrezikun e vdekjes te pacientët me një formë agresive të kancerit të gjakut.
Vaksina, e quajtur Galinpepimut-S, u testua te 126 pacientë me leucemi akute mieloide (AML), të cilët kishin pësuar rikthim të sëmundjes, por më pas kishin arritur sërish remision. Asnjëri prej tyre nuk mund t’i nënshtrohej transplantit të qelizave staminale.
Gjysma e pacientëve morën vaksinën si trajtim për të parandaluar rikthimin e sëmundjes, ndërsa pjesa tjetër mori trajtimin standard të ofruar nga mjekët.
Sipas rezultateve të publikuara nga kompania farmaceutike SELLAS Life Sciences, pacientët që morën vaksinën jetuan mesatarisht 24 muaj, krahasuar me 14.7 muaj në grupin që mori trajtimin standard.
Vaksina funksionon duke trajnuar sistemin imunitar të njohë proteinën WT1, e cila gjendet në sasi të larta në shumë qeliza të leucemisë. Në këtë mënyrë, sistemi imunitar mund të identifikojë dhe të sulmojë qelizat kancerogjene që mund të kenë mbetur në organizëm.
Efektet anësore të raportuara kanë qenë kryesisht të lehta, si dhimbje në vendin e injektimit.
Megjithatë, rezultatet janë ende paraprake, janë bërë publike nga vetë kompania dhe nuk janë shqyrtuar ende nga ekspertë të pavarur. Studimi përfshiu gjithashtu një numër relativisht të vogël pacientësh dhe vetëm një grup të caktuar të sëmurësh.
Kompania planifikon të diskutojë me Administratën Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA) për hapat e mëtejshëm, ndërsa synon të aplikojë për miratim në gjysmën e parë të vitit 2027./ad
