Një ceremoni publike përkujtimore do të mbahet të premten, më 16 tetor, në orën 10:00, në qendrën kulturore The Mitte: Arts and Cultural Center, në Teksas, në nder të aktorit RJ Mitte, i njohur për rolin e tij në serialin “Breaking Bad”.
Sipas njoftimit të publikuar nga Explore The RGV në Instagram, aktori kishte kontribuar në transformimin e ish-Muzeut të Arteve të Bukura të Brownsville-it në një qendër kulturore të rëndësishme. Mitte e kishte përshkruar këtë hapësirë si “një urë që lidh brezat, kulturat, njerëzit me aftësi të ndryshme dhe komunitetet”.
Lajmi për vdekjen e aktorit, në moshën 34-vjeçare, ka shkaktuar trishtim mes kolegëve dhe miqve të tij.
Aaron Paul: Të dua, miku im
Bashkëprotagonisti i tij në “Breaking Bad”, Aaron Paul, e kujtoi Mitte-n me një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke shprehur keqardhjen që nuk e kishte ditur se sa shumë po vuante.
“Ke qenë gjithmonë një frymëzim për kaq shumë njerëz. Më vjen jashtëzakonisht keq që po vuaje, miku im. Sikur ta kishim ditur. Kishe gjithmonë një buzëqeshje në fytyrë dhe përballoje çdo sfidë me vetëbesim dhe hijeshi”, shkroi ai.
Paul kujtoi gjithashtu se e kishte njohur aktorin që kur ishte fëmijë dhe e kishte parë të rritej, duke e krahasuar me Supermenin për forcën dhe mirësinë që përcillte.
Në fund të mesazhit, ai u bëri thirrje njerëzve që ndihen të trishtuar apo të humbur të flasin me dikë dhe të kërkojnë mbështetje.
“Duhet të përqendrohemi te njëri-tjetri dhe të mbështesim njëri-tjetrin. Ky është kuptimi i jetës. Kontaktoni dikë për të cilin kujdeseni dhe thuajini: ‘Të dua’. RJ, të dua, miku im. Më vjen jashtëzakonisht keq”, përfundoi aktori./k.m
