Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, paralajmëroi për një skandal të mundshëm ndërkombëtar që përfshin elitën e Perëndimit, duke e cilësuar si një “kurth të ëmbël” të mundshëm të organizuar nga shërbimet e inteligjencës ruse.
Tusk tha se po shqyrtohet një lidhje mes këtij operacioni dhe akuzave për pedofili në Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, qeveria polake ka vendosur të formojë një grup analitik dhe, nëse analizat konfirmojnë shqetësimet, mund të nisë një hetim.
Kryeministri polak gjithashtu nënvizoi mundësinë e inkurajimit të partnerëve ndërkombëtarë për të ndjekur një hetim global, duke theksuar se kjo është një çështje jashtë imagjinatës së zakonshme dhe nuk mund të injorohet.
Ai paralajmëroi se nëse shërbimet e inteligjencës ruse kanë qenë pjesë e këtij operacioni, kjo mund të ketë implikime serioze për sigurinë e Polonisë dhe mund të përfshijë materiale komprometuese për liderë të ndryshëm të botës perëndimore./mxh
