Qeveria e Spanjës njoftoi një masë të re drastike për mbrojtjen e të rinjve në internet. Sipas Kryeministrit Pedro Sanchez, fëmijët nën 16 vjeç do të ndalohen të përdorin rrjetet sociale, ndërsa platformat do të detyrohen të zbatojnë sisteme verifikimi të moshës.
Sanchez tha se masat synojnë të mbrojnë të rinjtë nga përmbajtjet e dëmshme, përfshirë gjuhën e urrejtjes, pornografinë dhe dezinformimin, duke e cilësuar internetin si “Perëndimin e egër digjital”.
Ai paralajmëroi se qeveria e tij do të paraqesë javën e ardhshme një projektligj për të mbajtur përgjegjëse drejtuesit e rrjeteve sociale për përmbajtje të paligjshme dhe manipulime algoritmike.
Spanja ndjek shembullin e Australisë, e cila në dhjetor ndaloi përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, ndërsa vende të tjera si Britania dhe Franca po shqyrtojnë masa të ngjashme.
Prokurorët spanjollë do të hetojnë gjithashtu mundësitë ligjore ndaj platformave si TikTok, Instagram dhe Grok të Elon Musk, për shkelje të mundshme ligjore./mxh
