Kim Yo Jong, motra e fuqishme e udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un, tha se nuk është “plotësisht në dijeni” nëse vëllai i saj ka komunikuar me Presidentin e SHBA-ve Donald Trump, siç pretendoi shefi i Shtëpisë së Bardhë këtë javë.
Kim Yo Jong, një nga zyrtaret më të larta të Koresë së Veriut, pranoi se vëllai i saj ka një “marrëdhënie të shkëlqyer” me Trump dhe “personalisht ka kujtime dhe impresione pozitive” për të.
Por në një deklaratë të lëshuar në median shtetërore të mërkurën, ajo nuk e konfirmoi pretendimin e Trump për kontaktin e fundit.
Trump u tha gazetarëve të hënën se Kim Jong Un iu përgjigj kërkesës së tij për një bisedë, menjëherë pasi presidenti kërkoi një reduktim të papritur të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, një aleat i ngushtë dhe i hershëm i SHBA-ve.
Trump nuk dha detaje mbi kontaktin. Ai shtoi të mërkurën se synon të takohet me Kim përgjatë këtij viti, por nuk ofroi detaje dhe nuk tha nëse ka shkëmbyer ndonjë letër me udhëheqësin e Koresë së Veriut.
Në deklaratën e saj, Kim Yo Jong tha për “komunikimin” e raportuar midis Trump dhe vëllait të saj: “Nuk jam aspak në dijeni të tij dhe ndoshta mund të jetë e vetmja gjë që nuk di në lidhje me politikën e jashtme të udhëheqjes sonë supreme.”/ad
