Last Updated on 12/12/2024 by adminfjala
Pse u ushtrua presion ndaj Holta Zaçajt nga njerëzit e mazhorancës dhe cilat janë çështjet e bujshme që po shqyrton gjykata?
Gjykata Kushtetuese është kthyer në mollë sherri javët e fundit. Elsa Toska dha në mënyrë të papritur dorëheqjen dhe akoma dhe sot nuk e dimë se pse e ndërmori këtë akt. Më pas Kuvendi nisi menjëherë procedurat e zëvendësimit dhe shpalli një vakancë me mandat të plotë, ndonëse sipas Kushtetutës, vakanca duhej të mbyllej në vitin 2025.
Por debati më i madh u bë për mandatin e Holta Zaçajt, e cila është edhe kryetare. Gjykata e Lartë njoftoi se ajo e mbyll mandatin në mars dhe kërkoi të shpallte vakancën. Mirëpo Zaçaj e refuzoi me argumentin se mandati i mbaron në fund të vitit. Por ajo u përball me një presion të jashtëzakonshëm. Media dhe gazetarë pranë mazhorancës e sulmuan në mënyrë të frikshëm, duke i bërë gjyqin publik.
Gazetarët e banaqeve morën rolin e juristit dhe shpjegonin me laps e letër se asaj i mbaron mandati dhe duhet të largohet. Madje sot një gazetar i brendshëm i qeverisë dilte thoshte se ‘ajo është e paaftë, ka njollosur detyrën dhe duhet të dorëhiqet’. Pse ky presion kaq i madh nga mazhoranca? Pse socialistët u alarmuan kur Zaçaj tha se do qëndrojë në detyrë?
Dyshimet janë se konflikti mes saj dhe mazhorancës nisi për mandatin e Olta Xhaçkës. Zaçaj ka punuar dikur në Bashkinë e Tiranës, kur Rama ishte kryebashkiak dhe kishte zëra se ajo ishte njeri i mazhorancës në gjykatë. Por te Xhaçka, ajo u doli kundër dhe kjo duket se solli nisjen e konfliktit.
Por dyshimet janë se nuk është rasti i vetëm. Në Kushtetuese janë edhe shumë çështje të tjera me shumë rëndësi, shumica e të cilave prekin mazhorancën. Mos vallë PS po luan gurët për këto çështje?
Një ndër çështjet më të bujshme që do marrë në shqyrtim Kushtetuesja është ajo e Pëllumb Gjokës. Më 19 dhjetor gjykata mblidhet mbi kërkesën e tij për të shpallur të paligjshme përgjimet e Sky Ecc. Flitet se ka pasur një presion të jashtëzakonshëm në Kushtetuese për këtë rast, pasi përveç krimit është e interesuar dhe politika që të zhbëhen këto përgjime. Kjo sepse ka shumë emra të rëndësishëm që dalin aty.
Rast tjetër është ankimi i PD për ligjin e Akademisë së Shkencave, ankimim i partive të vogla për Kodin Zgjedhor, si dhe një ankimim që PD ka bërë për projektin e Portit të Durrësit nga arabët. Çështje tjetër është dhe ankimimi i Sali Berishës, i cili ka ankimuar arrestin me burg, pas rrëzimit që ju bë për masën e detyrimit për tu paraqitur.
Do shohim si do venë punët. Por sot u pa se presioni pati efekt. Zaçaj pranoi shpalljen e vakancës dhe kjo do të thotë se kemi një luftë të madhe në prapaskenë. / S,M


