Last Updated on 12/06/2025 by adminfjala
Khaby Lame, influenceri më i njohur në botë i TikTok me miliona ndjekës, është larguar nga SHBA-të pasi u ndalua nga agjentët e imigracionit në Las Vegas për dyshimin se kishte tejkaluar afatin e vizës së tij.
Influencuesi senegalezo-italian, emri i të cilit ligjor është Seringe Khabane Lame, u ndalua të premten në Aeroportin Ndërkombëtar Harry Reid, por iu lejua të largohej nga vendi pa një urdhër dëbimi, konfirmoi në një deklaratë një zëdhënës i Imigracionit dhe Doganave.
Lame mbërriti në Shtetet e Bashkuara më 30 prill dhe “qëndroi përtej afateve të vizës së tij”, tha zëdhënësi i ICE-së.
Ndalimi dhe largimi i tij vullnetar nga SHBA-ja vjen në mes të masave të përshkallëzuara të Presidentit Donald Trump ndaj imigracionit, duke përfshirë bastisjet në Los Angeles që shkaktuan ditë protestash kundër ICE-së, ndërsa presidenti po teston kufijtë e autoritetit të tij ekzekutiv .
Një largim vullnetar, i cili iu dha Lame, u lejon atyre që përballen me dëbimin nga SHBA-ja të shmangin një urdhër dëbimi në të dhënat e tyre të imigracionit, gjë që mund t’i pengojë ata të lejohen të kthehen në vend deri në një dekadë.
25-vjeçari u bë i famshëm ndërkombëtar gjatë pandemisë pa thënë asnjë fjalë në videot e tij, të cilat e tregonin duke reaguar ndaj “mashtrimeve të jetës” absurde dhe të ndërlikuara. Ai ka mbi 162 milionë ndjekës vetëm në TikTok.
Influencuesi i lindur në Senegal u zhvendos në Itali kur ishte foshnjë me prindërit e tij të klasës punëtore dhe ka shtetësi italiane .
Fama e tij në internet evoluoi shpejt. Ai nënshkroi një partneritet shumëvjeçar me markën e stilistëve Hugo Boss në vitin 2022. Në janar, ai u emërua ambasador i vullnetit të mirë të UNICEF-it.
Muajin e kaluar, ai mori pjesë në Met Gala në New York City, disa ditë pasi mbërriti në SHBA. m.p.