Në një Itali ku lindjet janë në rënie të vazhdueshme, po merr gjithnjë e më shumë vëmendje një fenomen i ri: “childfree”, termi që përdoret për personat që zgjedhin me vetëdije të jetojnë pa fëmijë.
“Childfree” nuk duhet ngatërruar me “childless”. I pari nënkupton një zgjedhje të vetëdijshme për të mos pasur fëmijë, ndërsa i dyti lidhet me mungesën e fëmijëve, edhe në rastet kur një person i ka dëshiruar, por për arsye të ndryshme nuk ka mundur të bëhet prind.
Ka gjithnjë e më shumë gra dhe burra, veçanërisht të rinj dhe në disa raste me gjendje të mirë ekonomike, që deklarojnë hapur se nuk e dëshirojnë prindërimin.
Sa janë gratë “childfree” në Itali?
Të dhënat zyrtare për këtë fenomen janë ende të kufizuara, por statistikat tregojnë një prirje interesante.
Mes grave të lindura në fund të viteve ’70 dhe fillim të viteve ’80, rreth 22% nuk kanë fëmijë. Nga kjo përqindje, rreth 12% deklarohen “childfree”, pra kanë zgjedhur të mos kenë fëmijë.
Situata duket edhe më interesante te brezi i ri.
Një studim i vitit 2024 nga Instituti Toniolo, i zhvilluar me rreth 7 mijë gra të moshës 18 deri në 34 vjeç që nuk kanë fëmijë, zbuloi se 21% deklaruan qartë se nuk duan të kenë fëmijë.
Ndërkohë, 29% thanë se janë vetëm “pak të interesuara” për mëmësinë.
Kjo do të thotë se për rreth gjysmën e këtyre grave të reja, mëmësia ose është përjashtuar nga planet e tyre, ose nuk është më ndër dëshirat kryesore të jetës.
Fenomeni “childfree” po shfaq kështu një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si brezat e rinj e konceptojnë familjen, realizimin personal dhe të ardhmen e tyre./ad
