Ish-i dërguari i SHBA-ve në Kosovë Christopher Hill në një intervistë ekskluzive për Klan News ka deklaruar se ka dalë si dëshmitar i ish-presidentit Hashim Thaçi, pasi nuk beson se ka qenë i përfshirë në ndonjë veprimtari të paligjshme.
Sa i përket UÇK-së, Hill tha se ka dëshmuar se nuk ka parë asnjë sipërmarrje të përbashkët kriminale.
Ndër të tjera theksoi se ka dëshmuar në Hagë se, Thaçi nuk kontrollonte çdo gjë në terren dhe nuk kishte një autoritet qendror, që të mund të jepte urdhra në atë kohë.
Intervista
Gazetarja: A ishin befasi për ju dënimet për ish-krerët e UÇK-së?
Christopher Hill: Unë kam dalë si dëshmitar në emrin e Thaçit, sepse unë besoj se nuk ka qenë i përfshirë në veprimtari të paligjshme. Fatkeqësisht gjyqtarët morën vendimin e kundërt dhe unë po isha shumë i zhgënjyer.
Gazetarja: Pritshmëritë kanë qenë që z Thaçi dhe të tjerët do të dilnin të pafajshëm.
Christopher Hill: Vendimet gjyqësore janë të vështira të parashikohen, pasi shqyrtohen shumë prova. Nuk u surprizova, sepse seanca të tilla gjyqësore shkojnë sipas mënyrës së tyre. Mund të them se isha tepër i zhgënjyer.
Gazetarja: Ju keni qenë i dërguar special i SHBA-ve në Kosovë më 1998-99. Keni takuar Thaçin dhe UÇK-në. A keni parë diçka që ngjan si sipërmarrje e përbashkët kriminale?
Christopher Hill: Unë nuk kam parë asnjë sipërmarrje të përbashkët kriminale. Unë përpiqem të gjej një mënyrë për të ecur përpara, që do të çojë të gjitha palët të shikojnë drejt së ardhmes. Kur isha në Kosovë më 98’-1999 situata ishte tepër e vështirë. Situata në Kosovë ishte e rëndë, sepse duhet të përdornim bombardimet për ta zgjidhur problemin. Unë asnjëherë nuk e pashë këtë “sipërmarrjen e përbashkët kriminale”. Unë thashë në Hagë se UÇK-ja nuk ishte një organizatë e strukturuar. UÇK-ja kishte kapacitete, që ishin të limituara. Por gjykata nuk ra dakord me fjalët e mia.
Gazetarja: Ju thatë se Thaçi nuk kishte rol drejtues. Mendoni se Prokuroria duke e quajtur z Thaçi si drejtues të UÇK-së ishte shumë e dëmshme për të?
Christopher Hill: Unë isha në Hagë vetëm për pjesën që lidhej me dëshminë time. Thaçi nuk kontrollonte çdo gjë në terren. Nuk kishte një autoritet qendror, që të mund të jepte urdhra në atë kohë.
Gazetarja: Çfarë organizimi kishte UÇK?
Christopher Hill: UÇK ishte një organizatë, që donte pavarësinë dhe lirinë e Kosovës. Unë nuk ndjeva se kishte ndonjë organizim të mirfilltë vertikal, ku mesazhet nga kreu do të ekzekutoheshin nga pjesa poshtë. Në atë kohë, kishte shumë njerëz që donin të ishin në krye të UÇK-së, që të ishte ushtri e mirfilltë, që të merreshin më seriozisht nga vendet e perëndimit./mxh
