Regjimi në Iran mbetet funksional, megjithëse i dobësuar ndjeshëm, dhe vazhdon të jetë në gjendje të godasë objektiva amerikane. Ky është vlerësimi i bërë nga drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Tulsi Gabbard.
Gjatë seancës vjetore të Komitetit të Inteligjencës në Senatin amerikan për kërcënimet globale ndaj SHBA-së, Gabbard theksoi se regjimi në Iran duket ende i qëndrueshëm, por është dobësuar ndjeshëm nga operacioni, duke iu referuar fushatës ushtarake amerikano-izraelite kundër Teheranit.
“Pavarësisht goditjeve, Irani dhe aleatët e tij vazhdojnë të kenë kapacitete për të sulmuar interesat e SHBA-së dhe të partnerëve të saj në Lindjen e Mesme. Nëse regjimi mbijeton, mund të ndërmarrë një proces disa-vjeçar për rindërtimin e arsenalit të raketave dhe flotës së dronëve”,-tha Gabbard.
Seanca dëgjimore pritet të përqendrohet kryesisht në luftën në Iran, e cila ka hyrë tashmë në javën e tretë. Ligjvënësit, si republikanë ashtu edhe demokratë, kanë kërkuar më shumë transparencë mbi fushatën ajrore, e cila ka shkaktuar mijëra viktima, ka prekur jetën e miliona njerëzve dhe ka tronditur tregjet globale të energjisë dhe financave./mxh
