Gjatë karikimit të laptopit, rrallëherë mendojmë nëse vendi ku e vendosim është i përshtatshëm dhe i sigurt. Megjithatë, një zgjedhje e gabuar mund të ndikojë në funksionimin e pajisjes, të dëmtojë baterinë dhe madje të krijojë rreziqe për sigurinë.
Gjatë karikimit, laptopi dhe përshtatësi i energjisë çlirojnë nxehtësi. Kur ajri nuk qarkullon lirshëm ose pajisja ekspozohet ndaj temperaturave të papërshtatshme, ajo mund të mbinxehet, të dëmtohet dhe të pësojë probleme me baterinë.
Duke u bazuar në udhëzimet dhe këshillat e Dan DiClerico, ekspert për përmirësimin dhe sigurinë e banesave, janë pesë vende ku duhet të shmangni karikimin e laptopit.
1. Mbi krevat ose në divan
Edhe pse mund të jetë e rehatshme të përdorni laptopin ndërsa qëndroni shtrirë, krevati dhe divani nuk janë vende të përshtatshme për ta karikuar atë.
Materialet e buta, si jastëkët, batanijet dhe dysheku, mund të mbulojnë hapësirat e ajrimit të pajisjes. Kjo pengon largimin e nxehtësisë që krijohet gjatë përdorimit dhe karikimit, duke rritur mundësinë e mbinxehjes. Gjithashtu, pajisja nuk duhet të lihet në çantë ose në mbështjellësen e saj mbrojtëse ndërsa është duke u karikuar.
Si të veproni? Vendoseni laptopin mbi një sipërfaqe të fortë dhe të sheshtë, si tavolina, në mënyrë që ajri të qarkullojë pa pengesa. Nëse dëshironi ta përdorni në shtrat, zgjidhni një mbështetëse të posaçme me bazë të fortë.
2. Pranë lavamanit, vaskës ose dushit
Lagështia dhe uji mund të përbëjnë rrezik serioz kur bëhet fjalë për pajisjet elektrike. Për këtë arsye, karikimi i laptopit pranë lavamanit të kuzhinës, në banjë apo afër vaskës dhe dushit duhet shmangur.
Përveç kontaktit të drejtpërdrejtë me ujin, edhe avulli dhe lagështia mund të ndikojnë në pajisje dhe në përshtatësin e energjisë. Rreziku shtohet nëse prekni kabllon ose spinën me duar të lagura.
Si të veproni? Zgjidhni një hapësirë të thatë dhe mbajeni laptopin larg burimeve të ujit. Para se të lidhni ose shkëputni karikuesin nga priza, sigurohuni që duart t’i keni të thata.
3. Pranë radiatorëve, ngrohëseve ose oxhakut
Kur temperaturat ulen, mund të duket ide e mirë ta vendosni laptopin pranë një radiatori apo ngrohëseje për të punuar në një ambient më të ngrohtë. Megjithatë, ekspozimi ndaj nxehtësisë së drejtpërdrejtë mund të ndikojë negativisht në pajisje. Temperaturat e larta mund të dëmtojnë komponentët e brendshëm dhe të ndikojnë në jetëgjatësinë e baterisë.
Si të veproni? Mos e vendosni laptopin pranë pajisjeve ngrohëse. Mbani një distancë prej të paktën një metri dhe preferoni një hapësirë ku temperatura është e qëndrueshme.
4. Brenda një makine të parkuar
Përdorimi i makinës për të karikuar laptopin mund të jetë një zgjidhje praktike gjatë udhëtimeve, veçanërisht nëse keni një bateri të jashtme ose një burim tjetër energjie. Por lënia e pajisjes brenda një automjeti të parkuar nuk është zgjedhje e sigurt.
Gjatë verës, temperatura në brendësi të makinës mund të rritet ndjeshëm, ndërsa në dimër mund të bjerë shumë. Këto ndryshime mund ta ekspozojnë laptopin ndaj kushteve jashtë kufijve të rekomanduar të përdorimit.
Si të veproni? Kur largoheni nga makina, merrni me vete laptopin dhe baterinë e jashtme. Nëse pajisja ka qëndruar në temperatura ekstreme, prisni derisa të arrijë temperaturën e ambientit përpara se ta ndizni.
5. Në vende ku kablloja pengon kalimin
Jo çdo rrezik gjatë karikimit lidhet me mbinxehjen. Edhe pozicionimi i kabllos mund të shkaktojë probleme, veçanërisht nëse ajo kalon në vende ku lëvizin njerëzit.
Një kabllo e vendosur në mes të korridorit ose pranë një dere mund të bëhet shkak që dikush të pengohet. Nga ana tjetër, nëse laptopi qëndron pranë skajit të tavolinës dhe kablloja varet lirshëm, një tërheqje e pavullnetshme mund ta rrëzojë pajisjen.
Si të veproni? Vendoseni laptopin në një pozicion të sigurt, larg skajeve të tavolinës. Përdorni një prizë pranë vendit ku punoni dhe kalojeni kabllon përgjatë murit ose pas mobilieve. Kujdesuni që ajo të mos jetë e tendosur dhe të mos pengojë lëvizjen nëpër shtëpi./mxh
