Heidi Klum ka dhënë një sinjal të parë për kostumin që do të veshë për Halloween-in e vitit 2026. Modelja 53-vjeçare publikoi më 24 tetor një fotografi misterioze, ku shihen disa forma të përdredhura, me ngjyra dhe me pamje të rrëshqitshme, të cilat u kujtojnë disa ndjekësve organet e brendshme të trupit, ndërsa të tjerëve një shkëmb koralor.
Pamjet kanë nxitur spekulime të shumta për personazhin që Klum do të sjellë këtë vit. Disa mendojnë se kostumi mund të jetë frymëzuar nga seriali me zombie “The Last of Us” ose nga filmi i zhanrit horror trupor “The Substance”. Megjithatë, modelja nuk e ka zbuluar ende se çfarë fshihet pas maskimit.
Klum, e cila prej vitesh njihet për kostumet e saj të ndërlikuara dhe shpesh të frikshme, ka dhënë edhe më parë një të dhënë për transformimin e këtij viti. Në një intervistë të publikuar më 16 shtator nga revista Parade, ajo e përshkroi kostumin me vetëm një fjalë: “I përgjakshëm”.
Modelja është bërë e njohur për transformimet që e bëjnë pothuajse të panjohshme, të cilat i prezanton në festën e saj të përvitshme, të quajtur “Heidiween”. Vitin e kaluar, ajo tërhoqi vëmendjen me një kostum të frikshëm të Meduzës, figurës së mitologjisë greke, me bisht të gjatë, gjarpërinj të rremë në flokë dhe proteza që ndryshonin pamjen e fytyrës dhe trupit.
Bashkëshorti i saj, Tom Kaulitz, e shoqëroi atë në festën e zhvilluar në Hard Rock Cafe, i veshur si një ushtar grek i shndërruar në gur pasi kishte parë Meduzën, sipas mitologjisë.
Klum ka treguar gjithashtu se disa prej kostumeve të saj të preferuara ndër vite kanë qenë ato kur është shndërruar në një grua rreth 90-vjeçare dhe në një krijesë aliene. Për këtë të fundit, ajo kishte zgjedhur ngjyrën e kuqe, flokë vjollcë dhe këmbalecë që e bënin të dukej edhe më e gjatë.
Modelja është nënë e katër fëmijëve: Leni, 22 vjeçe, nga marrëdhënia e mëparshme me Flavio Briatoren, si dhe Henry, 21 vjeç, Johan, 19 vjeç, dhe Lou, 17 vjeçe, nga martesa me ish-bashkëshortin Seal./mxh
