Italia po përballet me një valë të fuqishme moti të keq, me reshje intensive që kanë shkaktuar përmbytje, dalje të lumenjve nga shtrati, rrëshqitje dherash dhe dëme materiale në disa rajone të vendit.
Ngjarja më tragjike është regjistruar në Friuli, ku një grua humbi jetën pasi automjeti me të cilin udhëtonte mbeti i bllokuar nga ujërat në një nënkalim të përmbytur.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të emergjencës, një karabinier arriti të hapte derën e automjetit dhe ta nxirrte gruan, por ajo kishte ndërruar jetë si pasojë e mbytjes.
Situata paraqitet e rënduar edhe në Lombardi, ku reshjet e dendura kanë shkaktuar rrëshqitje të tokës. Në zonën malore të Valtellinës, të paktën 45 persona janë evakuuar nga banesat e tyre, pas një rrëshqitjeje të madhe dheu.
Në Milano, lumi Lambro ka dalë nga shtrati pas reshjeve gjatë natës. Deri tani nuk raportohet për dëme të përhapura në zonat e banuara. Ndërkohë, në një sallë konferencash të gjykatës së Milanos është shembur një pjesë e suvasë dhe e tavanit të varur, ndërsa dyshohet se incidenti lidhet me depërtimin e ujit pas reshjeve të vazhdueshme.
Moti i keq është shtrirë edhe në rajonet qendrore. Në Toskanë, rritja e nivelit të lumenjve ka vënë në alarm autoritetet, ndërsa zjarrfikësit kanë kryer mbi 50 ndërhyrje, kryesisht për nxjerrjen e ujit nga banesat e përmbytura në katet përdhese dhe nëntokësore.
Edhe Roma është përfshirë nga reshjet intensive. Një rrebesh i fuqishëm gjatë mesditës së së enjtes shkaktoi probleme të përkohshme në qarkullimin rrugor dhe vështirësi në lëvizjen e qytetarëve.
Meteorologët vlerësojnë se 10 shtatori përbën fazën e dytë dhe ndoshta të fundit të përkeqësimit të motit, me reshjet që pritet të dobësohen gradualisht gjatë orëve në vijim.
Megjithatë, autoritetet e Mbrojtjes Civile u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të mos tentojnë të kalojnë në rrugë apo nënkalime të përmbytura, veçanërisht në zonat ku vijojnë të jenë në fuqi alarmet portokalli dhe të kuqe./mxh
