Shtëpia e Bardhë ka instaluar pllaka të reja nën fotografitë e ish-presidentëve amerikanë në atë që Presidenti Donald Trump e ka quajtur “Presidential Walk of Fame”, një hapësirë ekspozuese brenda rezidencës presidenciale. Pllakat përmbajnë kritika të ashpra ndaj paraardhësve të tij demokratë, duke shkaktuar reagime dhe debat publik.
Sipas mediave amerikane, pllaka nën fotografinë e ish-Presidentit Joe Biden e përshkruan atë si “presidentin më të keq në historinë amerikane”, duke e akuzuar në mënyrë të pavërtetë për një proces zgjedhor të korruptuar dhe për përdorim të tepruar të autopen-it. Biden është i vetmi president që nuk ka portret zyrtar në këtë hapësirë dhe përfaqësohet vetëm nga një foto e autopen-it, një pajisje mekanike që riprodhon firmën.
Një tjetër pllakë i referohet ish-Presidentit Barack Obama me emrin e tij të plotë dhe e përshkruan atë si “një nga figurat më përçarëse në historinë politike të SHBA-së”. Historianë të presidencës amerikane, megjithatë, e konsiderojnë vetë Donald Trump si një nga presidentët më polarizues në histori.
“Presidential Walk of Fame” është një risi e krijuar gjatë mandatit të dytë të Trump dhe ndodhet përgjatë korridoreve që lidhin Zyrën Ovale me Kopshtin Jugor të Shtëpisë së Bardhë, ku janë vendosur portretet e presidentëve të mëparshëm.
As ish-Presidenti republikan George W. Bush nuk i ka shpëtuar kritikave. Në pllakën e tij thuhet se ai nisi luftërat në Afganistan dhe Irak, të cilat sipas përshkrimit “nuk duhej të kishin ndodhur”.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se pllakat përbëjnë një përshkrim “elokuent” të trashëgimisë së secilit president, duke shtuar se shumë prej tyre janë shkruar drejtpërdrejt nga vetë Presidenti Trump.
Ndryshimet janë pjesë e një transformimi më të gjerë të dekorit të Shtëpisë së Bardhë gjatë presidencës së Trump, i cili përfshin përdorimin e shtuar të elementeve me ngjyrë ari, në stilin karakteristik të Trump Tower në Nju Jork dhe rezidencës Mar-a-Lago në Florida./mxh
