Last Updated on 11/11/2026 by Anisa
Çmimet e naftës u rritën sërish të mërkurën, ndërsa investitorët po ndjekin me shqetësim zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit, ku vijojnë sulmet ndaj anijeve dhe ndërprerjet e transportit detar.
Nafta Brent, referenca ndërkombëtare, u rrit me 0.2%, duke arritur në 91.71 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI shënoi një rritje prej 0.1%, në 86.12 dollarë për fuçi. Shpresat për uljen e tensioneve në luftën me Iranin janë zbehur për shkak të sulmeve të vazhdueshme ndaj anijeve që kalojnë në këtë korridor strategjik.
Ushtria iraniane njoftoi të mërkurën, sipas agjencisë AFP, se një cisternë nafte kishte goditur një minë detare dhe ishte përfshirë nga flakët në Ngushticën e Hormuzit. Sipas deklaratës së forcave detare iraniane, anija kishte hyrë në një zonë të ndaluar dhe të pasigurt në pjesën lindore të ngushticës.
Që prej shpërthimit të luftës në Lindjen e Mesme, në fund të muajit shkurt, Teherani ka kufizuar ndjeshëm trafikun detar në këtë rrugë ujore, duke kërkuar që anijet të përdorin vetëm itineraret e autorizuara nga Republika Islamike.
Në përgjigje, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një bllokadë detare ndaj porteve iraniane dhe kanë ndihmuar cisternat të kalojnë përmes ngushticës. Kjo rrugë ujore është jetike për tregjet globale, pasi në kushte normale përmes saj transportohet rreth një e pesta e naftës në botë. Ushtria amerikane ka deklaruar së fundmi se të gjitha minat detare në këtë zonë janë çaktivizuar.
Ndërkohë, të martën, Garda Revolucionare Islamike e Iranit deklaroi se tri cisterna nafte ishin përfshirë nga flakët në Ngushticën e Hormuzit. Më vonë, ministri indian i Transportit Detar, Sarbananda Sonowal, njoftoi se një cisternë me flamur të Liberisë, në të cilën udhëtonin edhe shtetas indianë, ishte goditur nga një predhë në Gjirin Persik.
Nga sulmi mbetën të plagosur katër anëtarë të ekuipazhit, mes tyre një shtetas indian, i cili pësoi lëndime të lehta dhe u dërgua në breg për ekzaminime të mëtejshme mjekësore. 18 anëtarët e tjerë të ekuipazhit, përfshirë pesë shtetas indianë, janë në gjendje të sigurt.
