Last Updated on 30/07/2026 by Monika
Inflacioni vjetor në Spanjë u rrit në 3,5% gjatë muajit korrik, nga 3,2% në qershor, duke arritur nivelin më të lartë që nga maji i vitit 2024. Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Instituti Kombëtar i Statistikave (INE), rritja u nxit kryesisht nga shtrenjtimi i karburanteve dhe energjisë elektrike, ndërsa inflacioni ka mbetur mbi 3% për pesë muaj radhazi.
Sipas INE-së, çmimet e karburanteve, lubrifikantëve për automjetet dhe energjisë elektrike janë rritur më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe inflacioni bazë, që përjashton ushqimet e papërpunuara dhe produktet energjetike, u rrit me 0,1 pikë përqindjeje, në 3%, duke treguar se presionet mbi çmimet vazhdojnë edhe përtej sektorit të energjisë.
Ndërkohë, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (HICP), që përdoret për krahasimin e inflacionit në vendet e Bashkimit Evropian, e vlerësoi inflacionin vjetor të Spanjës në 3,8%, ose 0,2 pikë përqindjeje më shumë se në qershor.
Ministria spanjolle e Ekonomisë deklaroi se masat e marra për të përballuar pasojat ekonomike të konfliktit me Iranin vazhdojnë të zbusin ndikimin e rritjes së kostove të energjisë mbi inflacionin dhe fuqinë blerëse të familjeve. Rritja e çmimeve vjen në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme kanë shtyrë lart çmimet ndërkombëtare të naftës dhe gazit, duke ushtruar presion të mëtejshëm mbi ekonomitë evropiane.
