Nga Leonard Veizi
Në këtë botë ku gjithçka duket se ka një etiketë, – nga buka te nderi, nga fjala te dashuria, – pyetja thelbësore që qëndron pezull është:
A ka njeriu një çmim?
Nëse përgjigja është “po”, atëherë gjithçka shitet dhe kemi rënë në humnerën e tregut universal.
Nëse përgjigja është “jo”, atëherë ende ekziston busulla morale, dhe bashkë me të, shpresa për dinjitetin njerëzor.
Çmimi si zinxhir i padukshëm
Në çastin që i vendoset njeriut një çmim, ai futet në ankandin e shpirtit. Kushdo që ka fuqinë financiare apo politike mund të blejë trupin, fjalën, madje edhe heshtjen e tij. Nga ai çast, njeriu nuk është më individ, por mall, i ekspozuar në vitrinën e turpit. Një hije që lëviz, një qen i lidhur me zinxhir, që tund bishtin për copën e pushtetit, favorin apo për një leje të dhënë nga dora e pronarit të ri.
Çmimi është zinxhiri i padukshëm që e mban shpirtin të burgosur. Kush pranon të ketë një çmim, në të vërtetë ka dorëzuar lirinë. Sepse njeriu i blerë nuk ëndërron më, nuk guxon më, nuk flet me zërin e vet. Ai thjesht ekzekuton, si një hije mes njerëzve të gjallë.
Korrupsioni si tregti e shpirtit
Ky tregtim i shpirtit nuk është vetëm një akt individual; ai është mekanizëm që ndot gjithë trupin shoqëror.
Në tregun e ndërgjegjeve, monedha nuk është më ari, por turpi i fshehur dhe favori i blerë.
Shitësi i vetvetes nuk është gjithmonë i uritur për bukë; shpesh, ai është i etur për pushtet, ndikim apo një vend nderi në banketin e hipokrizisë.
Por kush ha nga ajo tryezë, nuk ngopet kurrë. Barku mbushet, por shpirti zbrazet dhe njeriu mbetet i dëshpëruar në etjen e vet të pafund për më shumë, derisa shkatërrohet nga brenda.
Normalizimi i shitjes së shpirtit
Rreziku më i madh nuk është shitja, por normalizimi i shitjes.
Kur njerëzit shohin se pandershmëria shpërblehet, ata fillojnë të besojnë se dinjiteti është luks që nuk mund të përballohet. Aty ku njerëzit blihen me një vend pune, një votë apo një leje ndërtimi, rrënohet besimi te ligji dhe drejtësia. Kështu lind një shoqëri ku meritokracia vdes dhe mbijeton vetëm cinizmi, ku shpirti i kombit fillon të vyshket, sepse njerëzit pranojnë të jenë “të tregtueshëm” për mbijetesë.
Të mos kesh çmim
Të mos kesh çmim është forma më sublime e dinjitetit njerëzor.
Është arti i të qëndruarit drejt në një botë që përkulet çdo ditë përpara tundimit të parasë dhe pushtetit.
Është heshtja që nuk blihet për të mbuluar padrejtësinë, dhe fjala që nuk shitet për një përfitim të vogël personal.
Njeriu i vërtetë nuk ka çmim.
Ai ka dritë, ka shpirt, ka nder — dhe mbi të gjitha, ka integritet. Sepse kur këto shiten, çmimi nuk ka më kuptim: blerësi ka marrë lëvozhgën, por thelbi është zhdukur. Në fund, mbetet vetëm një e vërtetë e patundur: Kush i vë vetes çmim, është i gjallë në trup, por i vdekur në shpirt.
