E ftuar në emisionin “Live me Luizin”, këngëtarja Eli Fara rrëfeu një nga situatat më të pazakonta që i ka ndodhur gjatë një dasme, të cilën në fund vendosi ta braktiste.
Fara tregoi se gjithçka kishte nisur si një ditë krejt normale. Ajo ishte përgatitur që në mëngjes, kishte shkuar në parukeri, ishte veshur dhe ishte nisur drejt dasmës, e cila zhvillohej pranë aeroportit.
Por sapo mbërriti në ambientin e festës, diçka i tërhoqi vëmendjen. Sipas saj, një person nga familja e çiftit, i cili kishte marrë përsipër të drejtonte dasmën, u jepte vazhdimisht urdhra të ftuarve se kur duhej të ngriheshin apo të uleshin për të kërcyer.
“Shkova për një dasmë që organizohej në drekë. U zgjova që në mëngjes, ishte verë, shkova në parukeri, u bëra gati dhe u nisa. Kur mbërrita, pashë muzikantët dhe njerëzit. I pyeta nëse ishin të sigurt që isha në dasmën e duhur”, tregoi ajo.
Situata vazhdoi në të njëjtën mënyrë edhe më pas, ndërsa drejtuesi i dasmës ndërhynte vazhdimisht në mënyrën se si të ftuarit kërcenin.
“Pas 10 minutash filloi përsëri: ‘Çohu ti!’. Në atë moment u thashë muzikantëve se do të dilja pak jashtë. Mora makinën dhe ika. Kaq ishte dasma”, rrëfeu me sportivitet Eli Fara./mxh
