Ed Sheeran po përballet me një situatë të pazakontë gjatë turneut të tij, pasi largimi i Macklemore nga koncertet në SHBA ka shkaktuar një valë tërheqjesh nga artistët që do të performonin me të. Brenda pak ditësh, emra si Finneas, Lukas Graham dhe Aaron Rowe, së bashku me grupin irlandez Beoga, njoftuan se nuk do të vazhdojnë me turneun.
Gjithçka nisi pas performancave të Macklemore në stadiumin MetLife në New Jersey, ku reperi shprehu publikisht mbështetjen e tij për palestinezët dhe performoi këngën e protestës “Hind’s Hall”, duke folur kundër luftës dhe situatës në Gaza. Pas këtyre deklaratave, disa organizata pro-Izraelit e kritikuan dhe një prej tyre, Këshilli Izraelito-Amerikan, i bëri thirrje Sheeran të mos e mbante më Macklemore në turne.

Më pas, disa prej stadiumeve ku Sheeran kishte koncerte të planifikuara i thanë kompanisë që organizon turneun se Macklemore nuk do të lejohej të performonte në ambientet e tyre. Sipas deklarimeve të Macklemore, pronari i Gillette Stadium, Robert Kraft, kishte ushtruar presion që ai të largohej, duke vendosur në thelb zgjedhjen mes mbajtjes së Macklemore në turne dhe zhvillimit të koncerteve në këto stadiume. Ky version është raportuar nga disa media, ndërsa vendimi përfundimtar për largimin e reperit iu atribuua nga organizatorët kërkesave të ambienteve ku do të zhvilloheshin koncertet.
Po Ed Sheeran, a e hoqi vetë Macklemore?
Kjo është pika që e ka vendosur këngëtarin në qendër të debatit. Macklemore fillimisht tha se “Ed Sheeran dhe ekipi i tij” kishin vendosur ta hiqnin nga turneu. Por Sheeran reagoi publikisht më 15 shtator dhe mohoi se vendimi ishte i tij.
“Largimi i Macklemore nga turneu ishte vendimi i organizatorit, jo i imi”, tha Sheeran, duke shpjeguar se kishte kaluar ditët e fundit duke komunikuar me organizatorët dhe pronarët e stadiumeve në përpjekje për të gjetur një zgjidhje.

Sheeran tha gjithashtu se është i tronditur nga konflikti mes Izraelit dhe Palestinës, por se koncertet e tij nuk kanë për qëllim të jenë forume politike. Ai argumentoi se njerëzit që shkojnë në koncertet e tij nuk presin një hapësirë për debate politike dhe se ai preferon të përdorë muzikën për të bashkuar njerëz me prejardhje të ndryshme.
Kjo përgjigje, megjithatë, nuk e mbylli polemikën.
Pastaj artistët nisën të largohen njëri pas tjetrit

Një ditë pas largimit të Macklemore, Finneas njoftoi se nuk do të vazhdonte si pjesë e turneut.
“Artistët nuk duhet të heshtin kur flasin në mbështetje të të shtypurve”, shkroi ai, duke deklaruar mbështetjen e tij për Palestinën.
Pas tij u tërhoq edhe këngëtari irlandez Aaron Rowe, i cili tha se si irlandez e ndiente veçanërisht të rëndësishme të fliste për atë që e konsideron padrejtësi. Edhe Lukas Graham njoftoi tërheqjen, duke kritikuar ndikimin që mund të kenë njerëzit shumë të pasur mbi atë se kush lejohet të flasë dhe çfarë mund të thuhet në një skenë.
Edhe Beoga, grupi irlandez që shërbente si pjesë e grupit shoqërues të Sheeran, njoftoi largimin.
Kështu, brenda një kohe shumë të shkurtër, Sheeran mbeti pa artistët që hapnin koncertet e tij dhe pa grupin që e shoqëronte në skenë.
Pikërisht kjo e ka futur këngëtarin në një situatë ku, brenda pak ditësh, u kritikua nga aktivistë pro-palestinezë, humbi artistët shoqërues të turneut dhe njëkohësisht u përball me presion nga figura dhe organizata që kundërshtojnë mesazhet e Macklemore./k.m
