Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK) po intensifikon monitorimin e rrjetit të furnizimit me ujë në të gjithë vendin, me fokus të veçantë zonat turistike dhe ato ku gjatë sezonit veror është evidentuar rritje e konsumit.
Drejtori i AKUK, Fludian Çuka, në një intervistë për ATSH-në, tha se institucioni është në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha shoqëritë rajonale të ujësjellës-kanalizimeve, ndërsa një pjesë të rëndësishme të monitorimit e ka ndjekur drejtpërdrejt në terren.
“Kam qenë në pothuajse të gjitha kantieret ku aktualisht po realizohen investime dhe kam zhvilluar takime të vazhdueshme me drejtuesit e shoqërive rajonale, veçanërisht në ato zona ku janë evidentuar problematika me furnizimin me ujë apo kanalizimet”, deklaroi Çuka.
Sipas tij, problematikat e sektorit nuk mund të kuptohen vetëm përmes raporteve, por kërkojnë verifikim në terren të burimeve, stacioneve të pompimit, rezervuarëve, rrjetit dhe investimeve që po realizohen.
“Synimi ynë është që në një periudhë afatshkurtër 1-2 vjeçare shoqëritë rajonale të mos jenë më në një rol reagues ndaj problematikave. Nga viti i ardhshëm duam që, së bashku me AKUK, ato të kalojnë gradualisht në një rol parandalues”, tha ai.
Çuka theksoi se ky ndryshim do të mbështetet nga një proces i ri monitorimi dhe digjitalizimi, duke nisur me matjen e prurjeve në burimet e furnizimit dhe monitorimin e presionit në qytetet kryesore.
“Kur kemi të dhëna të sakta dhe në kohë, mund të identifikojmë rënien e prurjeve, humbjet apo problemet e presionit përpara se ato të kthehen në mungesë uji për qytetarin”, u shpreh drejtori i AKUK.
Furnizimi me ujë gjatë sezonit turistik
Duke folur për situatën e furnizimit me ujë gjatë sezonit turistik, Çuka tha se edhe ky sezon ka qenë sfidues për sektorin, për shkak të periudhës së zgjatur të thatësirës dhe temperaturave të larta.
Këto kushte kanë sjellë rënie të prurjeve në një pjesë të burimeve, puseve dhe rezervuarëve, ndërkohë që gjatë verës shënohet edhe rritja më e madhe e konsumit të ujit, veçanërisht në zonat turistike dhe bregdetare.
“Vëmendje e veçantë i është kushtuar zonave bregdetare dhe atyre me fluks të lartë turistik, ku gjatë verës popullsia dhe konsumi i ujit rriten ndjeshëm”, tha Çuka.
Një nga problematikat që ndikon në funksionimin e rrjetit, sipas tij, janë lidhjet e paligjshme, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në presionin e sistemit.
“Kur presioni bie, zonat fundore apo ato që ndodhen në kuota më të larta janë të parat që ndiejnë mungesën e furnizimit”, theksoi ai, duke bërë të ditur se shumë shpejt AKUK do të ndërmarrë një aksion kombëtar kundër lidhjeve të paligjshme në rang vendi.
Investimet në rrjet dhe burimet e ujit
Çuka nënvizoi se investimet në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve janë një proces i vazhdueshëm, që përfshin jo vetëm projektet e mëdha infrastrukturore, por edhe ndërhyrjet e përditshme për riparimin e defekteve dhe përmirësimin e funksionimit të rrjetit.
Ndër projektet kryesore që po përfundon është shtesa e Impiantit të Përpunimit të Ujit të Pijshëm në Bovillë, me kapacitet 1,800 litra në sekondë, investim me rëndësi për furnizimin me ujë të Tiranës.
Në Durrës, ndërhyrjet përfshijnë rikonstruksionin e nyjes hidroteknike në rezervuarin e Maskurisë, rikonstruksionin e Impiantit të Pastrimit të Ujit në Maskuri për zonat Golem, Kavajë dhe Qerret, si dhe pajisjen me elektropompa dhe panele elektrike të stacionit të pompave në Fushë-Kuqe.
Në Fier dhe Mallakastër vijojnë investimet për ndërtimin e ujësjellësit për fshatrat e Njësisë Administrative Aranitas, rikonstruksionin e ujësjellësit për Kafaraj, Çerven dhe Adë, si dhe ndërtimin e ujësjellësit për fshatrat Drenovë, Belishovë, Belistan dhe Visokë.
Në Lezhë, sipas Çukës, ka përfunduar ujësjellësi i fshatrave Mërqi dhe Raboshtë, ndërsa investimet përfshijnë edhe ndërtimin e ujësjellësit të qytetit të Mamurrasit, rikonstruksionin e rrjetit në fshatin Dajç dhe furnizimin me ujë të zonave bregdetare të Njësisë Administrative Shënkoll.
Në Shkodër, në fokus është ndërtimi i ujësjellësit të Bleranit.
Në Dibër, investimet përfshijnë ndërtimin e rrjetit shpërndarës dhe depos së ujit për Cerenecin e Sipërm dhe Cerenecin e Poshtëm, ujësjellësin rajonal nga burimet e Përroit të Lopës dhe Gurrave të Ketës, si dhe rrjetin kryesor të furnizimit për fshatrat e Njësisë Administrative Maqellarë dhe rrjetin shpërndarës në Kërçishtin e Sipërm.
Në Sarandë dhe Delvinë po realizohen rikonstruksioni i rrjetit të ujësjellësit në fshatin Çiflig, së bashku me ndërtimin e një pusi, si dhe plotësimi i rrjetit shpërndarës të ujësjellësit të qytetit të Delvinës.
Në Pogradec përfshihet ndërtimi i Ujësjellësit Rajonal Trebinjë, me burimet e Kozicës.
Ndërsa në Gjirokastër dhe Dropull, ndërhyrjet përfshijnë ndërtimin e linjës së jashtme të furnizimit me ujë me vetërrjedhje për ujësjellësin rajonal të Bashkisë Dropull, lidhjen e burimit të Manxifës me rrjetin ekzistues, rrjetin e jashtëm dhe depon për fshatrat Grapsh dhe Derviçan, si dhe ndërtimin e ujësjellësve të fshatrave Fushë-Bardhë dhe Zhulat në Bashkinë Gjirokastër.
Sipas drejtorit të AKUK, synimi është që përmes monitorimit, digjitalizimit dhe investimeve sektori të kalojë gradualisht nga një qasje reaguese ndaj problematikave në një model parandalues.
“Shpresoj shumë të kalojmë gradualisht nga logjika ‘konstatojmë problemin dhe ndërhyjmë’, te logjika ‘monitorojmë dhe i paraprijmë problemit’. Ky është një ndryshim thelbësor që duam të sjellim në mënyrën se si menaxhohet sektori”, përfundoi Çuka./kb
