Last Updated on 26/02/2026 by Anisa
Danimarka do të mbajë zgjedhjet parlamentare më 24 mars. Lajmin e bëri të ditur kryeministrja Mette Frederiksen, e cila synon të përfitojë nga rritja e mbështetjes pas qëndrimit të saj të ashpër kundër presionit amerikan për Greenland.
Frederiksen ka mobilizuar muajt e fundit liderët europianë përballë interesit të rinovuar të presidentit amerikan Donald Trump për aneksimin e ishullit Arktik. Sipas sondazheve, kjo përplasje diplomatike ka forcuar popullaritetin e saj, pas pakënaqësive të mëparshme për rritjen e kostos së jetesës dhe presionet mbi shërbimet sociale.
“Këto do të jenë zgjedhje vendimtare, sepse në katër vitet e ardhshme ne, si danezë dhe si europianë, duhet të qëndrojmë më shumë në këmbët tona. Duhet të përcaktojmë marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara dhe të forcojmë mbrojtjen për të garantuar paqen në kontinent”, deklaroi Frederiksen.
Kriza e Groenlandës ka rritur profilin e saj në arenën ndërkombëtare, ku ajo ishte vlerësuar më herët për menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe për mbështetjen ndaj Ukrainës.
Zgjedhjet do të testojnë nëse votuesit do ta shpërblejnë lidershipin e saj në politikën e jashtme dhe mbrojtjen e sovranitetit danez, apo do ta ndëshkojnë qeverinë për problemet e brendshme ekonomike.
Qeveria aktuale është një koalicion i pazakontë mes Social Demokratëve të Frederiksenit, Partisë Liberale të qendrës së djathtë dhe partisë Moderatët. Sipas sondazheve, koalicioni rrezikon të humbasë shumicën parlamentare, ndërsa partitë po ripozicionohen sipas ndarjeve tradicionale të majta-djathta.
Social Demokratët pësuan humbje të ndjeshme në zgjedhjet vendore të vitit 2025, duke humbur për herë të parë në 87 vite drejtimin e bashkisë së Kopenhagenit. Megjithatë, mbështetja për partinë është rikuperuar muajt e fundit.
Një tjetër çështje e debatueshme mbetet vendimi i vitit 2023 për heqjen e një dite pushimi zyrtar fetar, me qëllim financimin e rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen.
Me fokusin tek siguria, marrëdhëniet me SHBA-në dhe e ardhmja e Mbretërisë Daneze – që përfshin Danimarkën, Groenlandën dhe Ishujt Faroe – vota e 24 marsit pritet të përcaktojë drejtimin politik të vendit për vitet në vijim./mxh
