Nivelet e Danubit bien në minimum historik në Serbi dhe Kroaci, anijet mbeten në baltë, dalin në sipërfaqe anije të fundosura prej dekadash
Dhjetëra varka të ankoruara në një marinë në qytetin verior serb të Novi Sadit kanë mbetur të bllokuara në një shtresë balte të gjelbër, pasi ujërat e lumit Danub janë tërhequr me qindra metra. Ndërkohë, maunat dhe anijet e transportit janë detyruar të ankorohen vetëm në pjesët më të thella të lumit.
Këtë javë, niveli i Danubit ka rënë në vlerat më të ulëta të regjistruara ndonjëherë në Serbi dhe Kroaci, duke nxjerrë në pah qindra kilometra katrorë brigje rëre. Situata është pasojë e valëve të gjata të të nxehtit dhe thatësirës që kanë përfshirë Evropën gjatë verës, duke prekur rëndë rrugët ujore.
Ministrja serbe e Energjisë, Dubravka Djedovic Handanovic, deklaroi se importet e karburantit të Serbisë kanë arritur vetëm 25% të objektivit mujor për korrikun, pasi niveli i ulët i Danubit ka detyruar maunat dhe cisternat të lundrojnë me vetëm 30% deri në 40% të kapacitetit të tyre të ngarkesës.
Në Serbi, niveli i ulët i ujit në Danub, si edhe në lumenjtë e lundrueshëm Tisa dhe Sava, ka goditur sektorin e peshkimit dhe turizmit. Ekspertët paralajmërojnë se fenomeni mund të ketë pasoja afatgjata për ekosistemin dhe jetën e egër.
Vladimir Stakic, botues i revistës serbe të peshkimit “Angling Magazine”, fajësoi ndryshimet klimatike për situatën.
“Për shkak të mungesës së reshjeve dhe rritjes së temperaturave si pasojë e ndryshimeve klimatike, avullimi është shtuar ndjeshëm dhe sot po përballemi me nivele jashtëzakonisht të ulëta, shqetësuese të ujit”, tha ai, teksa qëndronte mbi shkëmbinj të tharë në lumin Sava në Beograd, të cilët normalisht ndodhen disa metra nën sipërfaqen e ujit.
Në Kroaci, rënia e nivelit të Danubit ka zbuluar një anije mallrash të fundosur që prej vitit 1937. Ndërsa në lindje të Serbisë kanë dalë në sipërfaqe mbetjet e ndryshkura të një flotiljeje gjermane të fundosur në vitin 1944, të cilat tashmë paraqesin rrezik për lundrimin.
Në Beograd, një pronar restoranti ka vendosur tavolina dhe karrige mbi një grumbull shkëmbinjsh që kanë dalë në mes të lumit pas tërheqjes së ujit.
Shërbimi Hidrometeorologjik i Serbisë parashikon një rritje minimale të nivelit të Danubit në ditët në vijim, falë reshjeve të shiut në zonat e sipërme të rrjedhës së lumit./ad
