Last Updated on 11/10/2025 by EL
Ish-deputeti demokrat Dashnor Sula, ka ironizuar deklaratën e djeshme të kandidatit të pavarur Florjan Binaj, i cili tha se nuk do të bënte asnjë dalje në fushatë krah Partisë Demokratike dhe pse këto të fundit janë zotuar për t’i dhënë të gjithë mbështetjen elektorale.
Për Top Channel, Dash Sula është shprehur se kjo deklaratë e Binajt është një tjetër çudi në vendin tonë. Duke e ironizuar, ish-demokrati thotë se Florjan Binaj ‘dëshiron të martohet, por nuk më pëlqen gruaja’.
“Ka një histori të bukur këtej nga Gramshi, ku dy barinj ishin duke ruajtur delet. Në një moment, njërit prej dy barinjve i rrëshket këmba dhe bie në drejtim të greminës. Bariu tjetër, i cili pa që kolegu i tij po binte i thirri: U vrave? Dhe bariu tjetër ia ktheu: Ti po më pyet a u vrave, po unë nuk kam rënë akoma.
Edhe Partia Demokratike dhe opozita vazhdon të bjerë, ende nuk e ka prekur fundin. Nëse më duhet të bëj një paralelizëm, i pëlqen që të martohet Z. Florian Binaj, pra që qejfi ia ka dhe thotë, unë dua të martohem por nuk më pëlqen bashkëshortja. Ose e thënë me fjalë të tjera, dua të martohem por nuk dua të dal në pazar me gruan, nuk dua të më shohë dynjaja.
Eshtë krejt e pamundur, që pa votat e subjektit politik, të mund të bësh diçka. Sepse na dalin disa pikëpyetje: Po komisionerët, kush do t’i japë? Se ti si Parti Demokratike nuk ke kandidat, nuk regjistrohesh. Po fondet? Se nuk ke kandidat për zgjedhjet”, tha Sula.
Dashnor Sula u shpreh se kjo situatë për opozitën dhe Berishën është e thjeshtë, pasi pas marrjes së rezultatit negativ, do të fajësojë vetë kandidatin dhe shoqërinë civile.
“E gjithë kjo situatë i shkon për shtat vetëm një njeriu: Profesor Doktor Sali Berishës! Ai do të ruajë status quo-në e vet. Që nesër të thotë, unë nuk humba, ja ju shoqëria civile humbët. Pra jemi të gjithë të paaftë për të mundur Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Dhe kështu, edhe unë vazhdoj kryetar i opozitës, edhe ju të shoqërisë civile e patë që nuk mundet regjimi…
O e quan regjim, apo narkoshtet, diktaturë dhe zgjedh të përballesh me regjimin dhe diktaturën me mjete politike, dhe e rrëzon me votë. Ose nuk është regjim dhe nuk rrëzohet me votë dhe ka mjete ekstraligjore, si rebelimi dhe e rrëzon me kalimin e kohës. Por nëse ti bëhesh shtojcë e regjimit, nëse ti vazhdon ta quash regjim por bëhesh pjesë dhe e legjitimon, nuk shkon. O është, o nuk është!”, shprehet Sula./e.t
