Natyralisti dhe prezantuesi i njohur britanik, David Attenborough, ka festuar të premten (8 maj) 100-vjetorin e lindjes, ndërsa në Londër dhe në mbarë Britaninë janë organizuar aktivitete të shumta për nder të tij.
BBC Studios e ka shënuar këtë moment historik duke marrë nën kontroll ekranet e “Piccadilly Lights”, ku gjatë gjithë ditës është transmetuar një video-montazh dyminutësh që nderon jetën dhe kontributin e Attenborough në dokumentimin e botës natyrore dhe edukimin ndërbrezor.
Në një tjetër simbol nderimi, në kullën BT Tower në Londër është vendosur një banderolë urimi për ditëlindjen e tij.
Festimet përfshijnë gjithashtu një javë emisionesh speciale në BBC, një koncert në Royal Albert Hall, si dhe aktivitete të ndryshme si vizita në muze, shëtitje në natyrë dhe mbjellje pemësh.
Attenborough konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të historisë së dokumentarëve natyrorë, me një karrierë që ka ndikuar brez pas brezi në ndërgjegjësimin për mjedisin dhe biodiversitetin./mxh
