Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, ka hedhur poshtë vlerësimet e inteligjencës amerikane lidhur me kapacitetet ushtarake të Teheranit, duke i cilësuar ato të pasakta.
Në një deklaratë në rrjetet sociale të premten (8 maj), Araqchi tha se rezervat e raketave dhe kapaciteti i lëshuesve të Iranit ndodhen në 120% të niveleve para luftës, duke kundërshtuar raportimet e CIA-s që i vlerësojnë në rreth 75%.
Ai akuzoi Shtetet e Bashkuara se, sa herë që shfaqet një mundësi për zgjidhje diplomatike, zgjedhin “aventura ushtarake të rrezikshme”.
Deklaratat vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme në rajon, me përplasje të raportuara mes forcave amerikane dhe iraniane në Gjirin Persik dhe me sulme të reja që kanë goditur edhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se armëpushimi mes palëve po vazhdon, pavarësisht përshkallëzimeve sporadike që kanë ngritur shqetësime për stabilitetin e marrëveshjes së arritur më 7 prill.
Situata u përkeqësua ndërsa SHBA po pret përgjigjen e Teheranit për një propozim të ri që synon përfundimin e konfliktit të nisur në fund të shkurtit, kur Uashingtoni dhe Izraeli ndërmorën sulme ajrore ndaj Iranit.
Megjithatë, propozimi amerikan nuk adreson dy nga kërkesat kryesore të Iranit: pezullimin e programit bërthamor dhe rihapjen e ngushticës strategjike, çka mbetet një pikë e rëndësishme mosmarrëveshjeje mes palëve./mxh
