Kryeministri britanik Keir Starmer ka hedhur poshtë akuzat e opozitës lidhur me emërimin e diplomatit Peter Mandelson, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe të motivuara politikisht.
Starmer deklaroi se kundërshtarët e tij po përpiqen të dëmtojnë qeverinë, ndërsa kjo e fundit po avancon me reforma të rëndësishme, përfshirë ligjin për të drejtat në punë dhe atë për mbrojtjen e qiramarrësve, si edhe investime të mëdha në sistemin shëndetësor.
Debati është përqendruar te procesi i verifikimit të sigurisë për Mandelson, i cili u emërua në një post të lartë diplomatik, pavarësisht lidhjeve të mëparshme me financierin e ndjerë amerikan Jeffrey Epstein.
Kryeministri pranoi se rezultati i procesit të verifikimit duhet t’i ishte komunikuar më herët dhe e cilësoi këtë si një “gabim serioz gjykimi”. Ai theksoi se, nëse do të ishte informuar në kohë, nuk do ta kishte bërë këtë emërim.
Ndërkohë, zyrtari i lartë Olly Robbins ka sqaruar se kishte vendosur të mos ia përcillte këtë informacion kryeministrit, një vendim që Starmer e konsideroi të gabuar.
Pavarësisht presionit në rritje dhe thirrjeve për dorëheqje, Starmer u shpreh i bindur për mbështetjen e kabinetit të tij, duke theksuar se qeveria është e fokusuar në sfidat madhore, përfshirë luftën në Ukraine dhe zhvillimet e fundit në Iran./mxh
